Zjarri në Berovë, Angellov: Intervenuam me mbi 500 njerëz
Pjesa më e madhe e zjarreve....

Pjesa më e madhe e zjarreve në vend janë lokalizuar dhe tashmë janë nën kontroll. Zjarr aktiv mëngjesin e kësaj të marte kishte në në zonën e fshatit Budinarc në Berovë, dhe mbi fshatin Rahoviç në Saraj.
Në Berovë, ku flakët kanë përfshirë pyje me pisha bredh, kashtë dhe bar i thatë, në shuarjen e flakëve po ndihmojnë edhe zjarrfikësit nga Sllovenia dhe Austria.
Më shumë se 500 persona janë angazhuar atje, informojnë nga Qendra për Menaxhimin e Krizave.
“Në vendin ku ka shpërthyer ky zjarr, kemi 130 zjarrfikës nga Austria me 52 automjete, 45 nga Sllovenia me katër kamionë zjarrfikës dhe 25 nga Bullgaria me pesë automjete. Përveç kësaj , kemi më shumë se 100 zjarrfikës locale dhe mbi 130 pjestarë të policisë. atje janë edhe forcat e Armatës dhe të "Pyjeve Kombëtare”, pra ka një përqëndrim të madh forcash dhe të gjithë marrin pjesë së bashku në shuarjen e zjarrit” – tha Drejtori i QMK-së, Stojançe Angellov.
Aktiv zjarri pranë Sarajit, QMK: Zonë e vështirë, intervenuam nga ajri
Zjarri mbi fshatin Rahoviq në Saraj ishte i ndarë në dy pjesë, një vatër drejt Matkës, ndërsa tjetra mbi fshatin Rahoviq, në një terren të paarritshëm.
Për lokalizimin dhe shuarjen e plotë të tij ka ndihmuar avioni rumun “Spartan” pasi terreni është i papërshtatshëm për qasje nga mjetet e tjera .
“Zjarret në Saraj në fshatin Bukoviq Rahoviq dhe Llaskarcë ende janë aktiv. Brenda ditës ka vepruar avioni Spartak i Rumanisë. Në ora 14:45 është përhapur më shumë, në terren janë pjesëtarët e zjarrfikësve, armatës si dhe banorët e Sarajit. Shpresojmë që deri në fundë të ditës do të lokalizohet ky zjarr. Zjarr aktiv kemi edhe në Çuçer Sandevo, në fshatin Pobozhje, ku janë djegur 3 shtëpi, aty janë zjarrfikësit e qytetit të Shkupit . Ende nuk dihen arsyet e djegjes së këtyre shtëpive” – tha Marija Millkova nga QMK.
QM: Falënderojmë qytetarët, por koordinohuni me ne
Nga QMK falenderojnë edhe popullatën lokale për ndihmën.
“Duhet të falënderojmë popullatën vendase sepse ajo është e përfshirë me vetë iniciativë në këtë luftë, por edhe të apelojmë që përfshirja e tyre të jetë gjithmonë në lidhje me ekipet që janë në terren sepse janë profesionistë dhe menjëherë e dinë se nga cili drejtim vjen rreziku, e gjithashtu dinë se cilat metoda të shuarjes së zjarrit duhen zbatuar në atë moment” – tha Ilija Bojarovski nga QMK.
Ka ndërkohë edhe vatra të tjera aktive. Në Komunën e Çashkës në fshatin Vojnica zjarri ka përfshirë pyjet dhe ende nuk është shuar, por është vënë nën kontroll. Edhe zjarret në komunën e Dellçevës po lokalizohen që të vihen nën kontroll.
Në komunën e Prilepit, zjarri në zonën e fsh. Rakle, Nikodin dhe Toplicë është fikur, por nuk është tërësisht nën kontroll.
Ka tym prapa fshatit Toplicë drejt fshatit Krstec, por ai po zvogëlohet në intensitet. Në të gjitha vatrat potencialisht të rindezshme, ka ekipe në gadishmëri për të intervenuar. (Rejhane Bushi – Metaj, TVM2)
