Maqedoni
Kontesti me Bullgarinë dhe integrimi, Osmani: Peng të situatës politike në Bullgari
11.08.2021 16:22
Maqedonia e Veriut nuk guxon të mbetet peng i situatës së brendëshme politike në Bullgari....

Maqedonia e Veriut nuk guxon të mbetet peng i situatës së brendëshme politike në Bullgari, konsideron shefi i diplomacisë Bujar Osmani, pas informacioneve se shteti fqinj sërish has në vështirësi për formimin e një qeverie politike. Megjithatë, konsideron se Bullgaria ka dhënë pëlqimin për fillimin e negociatave me BE-në, dhe rrjedhimisht edhe një qeveri në detyrë, nëse ka vullnet të mire, mund të jep përkrahjen për kornizën negocuese dhe mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.
“Qeveri politike nuk është e domosdoshme që të merret vendim për fillimin e negociatave, pasi vendimi politik për një gjë të tillë është marrë në mars të vitit 2020, me pëlqimin edhe të Republikës së Bullgarisë. Konferenca e parë ndërqeveritare duhej të ishte vetëm plotësim i një vendimi politik, kështu që shpresoja se edhe një qeveri në detyrë do të mundej të merr një vendim të tillë, por është e qartë se kjo u dëshmua si e pamundur, pasi situata në Bullgari është e tillë që pa formimin e institucioneve të merret vendim.”, tha Bujar Osmani, ministër i jashtëm.
Osmani: Kemi politikë të jashtme si ajo e BE-së
Pavarësisht rrethanave te fqiu lindor, dy ministritë respektive vazhdojnë komunikimin dhe përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes. Veç kësaj, Shkupi zyrtar vazhdon zbatimin e reformave të domosdoshme dhe harmonizimin e legjislacionit vendor me atë të BE-së. Sipas Osmanit vendi ka harmonizuar politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në, në masën 95%.
“Numri i 100 bashkangjitjeve në një periudhë prej më pak se një vit flet për orientimin tonë të qartë euroatlantik dhe atë në kushte kur perspektiva evropiane e rajonit nuk gjendet në ditët e saj më të mira, kur frustrimet janë në rritje, kur pritja e qëllimkëqinjve se vendi do të devijojë nga kursi i vet politik, RMV përgjigjet në mënyrë krejtësisht të kundërt.”, tha Osmani.
Qeveria është optimiste se Samiti i Këshillit të Ministrave, në kuadër të kryesimit slloven me Unionin do të hap perspektivën e zgjerimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqiprëinë, dhe do të jep mesazhin për vendet e Ballkanit Perëndimor se perspektiva evropiane rikthehet në korsinë e saj.
SHPËTIM NUREDINI
