Maqedoni

Grubi: Po mos të ishte Ohri, nuk do të ishte Prespa dhe NATO-ja

13.08.2021 13:02

Në fjalimin e tij, nw Konferencën “Përtej Ohrit” të organizuar nga ana e Ministrisë për Sistem Politik...

Në fjalimin e tij, nw Konferencën “Përtej Ohrit” të organizuar nga ana e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive në bashkëpunim me Universitetin Kolumbia nga Shtetet e Bashkuara tëAmerikës, në të cilën të pranishëm janë personalitete të njohura të vendit dhe përfaqësues të faktorit ndërkombëtar NATO, BE dhe SHBA,protagonistë dhe përkrahës të nënshkrimit dhe implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi në cilësinë e nikoqirit faleminderoi pjesëmarrësit e kësaj konferencë që me prezencën e tyre nderuan momentin historik të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit që vendosi themelet e vlerave të mirëfillta të demokracisë, barazisë dhe bashkëjetesës paqësore.
 
Grubi ka shprehur rëndësinë që kishte nënshkrimi dhe implementimi I Marrëveshjes së Ohrit duke kujtuar edhe sfidat që sollën deri te ai moment historik që shpëtoi vendin. Ai ka theksuar edhe sfidat e “Përtej Ohrit” që Maqedoninë e Veriut vazhdojnë ta gjejnë të përkushtuar në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian.
 
“Të lësh vepra monumentale pas vetes, vepra që sollën paqë dhe shpëtuan jetë njerëzish do të thotë që do të mbahesh mend përjetësisht. Ne sot bashkërisht jemi mbledhur që të kujtojmë guximin e burrave dhe grave 20 vite më parë dhe të shprehim nderimet tona më të larta ndaj  tyre duke u zotuar për zbatimin dhe përqafimin e frymës së paqes të dakorduar më 13 gusht të vitit 2001.
 
Baraspesha kërkon barazi të plotë.Baraspesha për të jetuar bashkërisht nënkupton të jetosh në mënyrë tëbarabartë. Sepse vetëm të barabartët mund të jetojnë bashkërisht. Dhe këtë baraspeshë në shoqëri tek sistemet e njohura politike të rregullimit të shtetit e gjejmë vetëm tek demokracia, ku njihet vlera dhe dinjiteti i çdo personi, gjithsecili është i barabartë, udhëheq shumica me të drejta për të gjithë, vlerësohet kompromisi dhe liria individuale. Dhe pikërisht këtu e gjej esencën e barazisë, tek demokracia. Kur një demokraci është e ushtruar mirëfillti, ajo e absorbon individin dhe komunitetin sepse ofron mundësi të barabarta dhe kërkon përgjegjësi dhe obligime reciproke ndaj saj. Prandaj vlerësoj që lojaliteti i individit dhe komunitetit ndaj shtetit nis me lojalitetin e shtetit ndaj individit dhe komunitetit.
 
Nga kjo marrëdhënie baraspeshe nuk humbi asnjë komunitet, asnjë qytetar, por përfituan të gjitha komunitetet, të gjithë qytetarët e fitimtari më i madh është vendi ynë i përbashkët, nga një vend në luftë, në një vend anëtar i NATO-së dhe me dritë të gjelbër për anëtarësim edhe në
Bashkimin Europian.
 
Ne, humbëm një dekadë të tërë mundësish për ta bërë këtë dhe rrjedhimisht, një e drejtë e vonuar u bë e drejtë e mohuar, por, edhe yjet nuk do të shndrisnin po të mos ishte errësira.
 
Ne ia dolëm. Bashkë. Dhe pikërisht këtë sukses jemi mbledhur që ta festojmë sot. Sukses i përbashkët, i liderëve vendor dhe i miqve ndërkombëtar, BE, SHBA, NATO dhe OSBE, shoqërisë civile dhe mediave, njerëz që ndajnë vlera të njëjta dhe që nga gremina e luftës, vendin tim e shndërruan në vend të shpresës dhe rrëfim suksesi.
 
Sfida jonë “Përtej Ohrit” është sundim i ligjit, luftë e pakompromistë me korrupsionin dhe krimin, përqafim i diverziteteteve dhe gjithë përfshirja, institucione kredibile demokratike dhe cilësia e jetës nëpërmjet të përqafimit të agjendës së gjelbër. Po mos të ishte Ohri, nuk do të ishte Prespa, po mos të ishin të dyja, s’do të kishim NATO-në, por ne nuk duhet të ndalemi këtu dhe duhet të gjejmë forcë edhe për ta zbatuar marrëveshjen e tretë me po të njëjtin guxim dhe përkushtim duke vulosur të ardhmen tonë europiane. Të udhëheqim, e mos të udhëhiqemi, të punojmë për gjeneratat e ardhshme, e jo për zgjedhjet e ardhshme.
 
Marrëveshja e Ohrit dhe e Prespës na mësuan që ky vend, ky popull, ky rajon nuk i bën dot konak eurospekticizmit, por përkundrazi, sa më e madhe sfida, aq më i madh përkushtimi jonë sepse: Dielli ynë, të dashur miq, lind në perëndim” tha Grubi në fjalimin e tij.