Maqedoni
Xhaferi : Po ju drejtohem në shqip, ky është realiteti pas nënshkrimit të MO-së
13.08.2021 13:13
Kryeparlamentari Talat Xhaferi, në fjalimin e tij në konferencën "Përtej Ohrit”...

Kryeparlamentari Talat Xhaferi, në fjalimin e tij në konferencën "Përtej Ohrit”, tha se Marrëveshja Kornizë e Ohrit, akti i cili e ndryshoi të ardhmen e vendit tonë njëherazi ishte edhe udhërrëfyesi më i mirë për sigurimin e stabilitetit, qëndrueshmërisë dhe dialogut konstruktiv, ishte edhe sfidë në vete, e cila mundësoi që Republika e Maqedonisë së Veriut të jetë një storje suksesi e cila është shembull, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë, në gjithë rajonin dhe është marrëveshje e cila mundësoi hapësirën për trajtimin e çështjeve që kishin të bëjnë me respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve, përfaqësimin e drejtë dhe përkatës, përfshirjen në vendimmarrjen politike dhe atë institucionale dhe implementimi i saj ndikoi në rritjen e vetëdijes qytetare në drejtimin se kontributi i çdo qytetari në këtë vend është i barasvlershëm dhe se për një bashkëjetesë të vërtetë, impenjimi i gjithsecilit është një kontribut në më se i çmuar dhe i mirëpritur.
“Themelimi i Komitetit për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në Kuvend, zyrtarizimi i Universitetit të Tetovës, themelimi i Universitetit Nënë Tereza, i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, Agjencia për Zbatimin e Gjuhës, Inspektorati, emërtimi i rrugëve tona me përfaqësues të denjë të gjitha komuniteteve në vend dhe një sërë institucionesh tjera ekonomike, kulturore e të tjera janë realitete që janë rezultat i pajtimit, respektimit dhe bashkëpunimit ndëretnik. Unë, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Artani, Bujari dhe një sërë përfaqësues të tjerë në krye të institucioneve në vend janë realitet. Kjo që ju drejtohem shqip është realitet dhe shenjë se kemi për çka të jemi krenarë, por, assesi të konsiderojmë se e kemi mbaruar detyrën e shtëpisë, sepse, siç thotë edhe motoja e vetë manifestimit - PËRTEJ OHRIT, sepse procesi vazhdon, sfidat nuk shteren dhe rrugëtimi ynë si shtet do të rrumbullakohet atëherë kur të përmbushim edhe përcaktimin dhe qëllimin tonë të dytë strategjik si vend, respektivisht, pas anëtarësimit të plotfuqishëm në Aleancën e NATO-s, të fillojmë edhe negociatat me Bashkimin Evropian, pas përcaktimit të datës për mbajtjen e seancës së parë ndërqeveritare të Republikës së Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian. Dhe, përsëri, asgjë nuk përfundon këtu! Kujdesi dhe sigurimi i të drejtave dhe lirive, natyrisht edhe përmbushja e obligimeve të çdo një qytetari në vend mbetet tani e përgjithmonë. prioriteti i parë, i dytë dhe i fundit i të gjithëve ne!” tha Xhaferi në fjalimin e tij
