Maqedoni
Situata me zjarret, tre vatra ende aktive në Saraj, Berovë e Q.Zhupë
14.08.2021 14:13
Aktualisht në vend ka tri zjarre aktive. Pesëdhjetë anëtarë të Ministrisë së Brendshme...

Aktualisht në vend ka tri zjarre aktive. Pesëdhjetë anëtarë të Ministrisë së Brendshme dhe disa ekspertë francezë ndërhynë këtë të shtunë për shuarjen e zjarrit në fshatin Raoviç.
“Në afërsi të fshatit Rahoviç në Saraj ka shpërthyer zjarr. Atje për një moment janë parë 10 pika të zjarreve në një linjë prej 2 km dhe një pikë e veçantë e zjarrit, 5-6 km nga pikat e tjera. Mëngjesin e së shtunës janë vërejtur zjarre me mundësinë për t’u përhapur nga fshati Bukoviç në fshatrat Çajlanë dhe Matkë.”, tha Nadica Vaçkova, Qendra për Menaxhimin e Krizave.
Zjarri në hapësirën midis fshatrave Barovo dhe Veshje është ende aktiv dhe është përhapur në pllajën e Vitaçevës, drejt fshatit Stragovë të Kavadarcit. Rreth 60 pjesëtarë të policisë ishin në Barovë së bashku me pjesëtarët e ushtrisë, por në mëngjes policët janë tërhequr duke qëndruar gjithsesi në gadishmëri. Ekspertët francezë ndërhynë me kundërzjarr për të ndërtuar një linjë të sigurtë rreth fshatit.
“Zjarri u përhap nga më shumë drejtime dhe gjatë natës intensiteti ishte më i fortë në zonën e Barovës, në fshatin Besvicë dhe në drejtim të fshatit Veshje. Ne përdorim metodat që janë aktualisht të mundshme për tu përdorur në zonat e caktuara, jemi në terren dhe për metodën e ndërhyrjes vendoset drejtpërdrejt nga terreni dhe , nëse është e nevojshme, angazhohen edhe helikopterët të koordinuar me zjarrfikësit.”, tha Vaçkova.
Zjarr aktiv ka edhe në zonën e fshatit Gorno Melniçani në Qendër Zhupë. Ndërkohë që është lokalizuar zjarri pranë fshatit Ermenicë në komunën e Kratovës . Zjarret në zonën e fshatrave Grumazi dhe Iveni në komunën e Novacit, deponia e djegur në Radovish, si dhe zjarri pranë fshatit Shipkovica në malin Plaçkovi u shuan plotësisht.
ZEKIRJA MEXHITI
