Spitali plotë me pacientë, të hënën diskutohen masa shtesë për Tetovën

15.08.2021 18:00

Shtimi i shifrave ka mbushur plot spitalet....

Shtimi i shifrave ka mbushur plot spitalet. Në Klinikën Infektive në Shkup,  nuk ka më vende të lira. Plot janë edhe repartet infektive në Tetovë e Gostivar. Për Tetovën, po shqyrtohet edhe  vendosja e masave shtesë në nivel lokal, të cilat do të diskutohen të hënën.

“Kontrolle ambulatore kemi mbi 120 në ditë, të gjithë pacientë Covid. Në spital ka afërsisht 230 pacientë pozitivë që trajtohen. Ne vlerësojmë sipas shifrave aktuale se cdo ditë që vjen situate do rëndohet dhe po përgatitemiedhe me kuadrin që janë në pushim vjetor t’ua shkurtojmë të njëjtin” – tha Koordinatori i Qendrës Kovid në Spitalin e Tetovës, Gëzim Nuredini.  

Shqetësim shtesë për rritjen e shifrave, janë edhe grumbullimet para pikave të vaksinimit

“Të gjithë duhet ta kenë parasysh se edhe pacientët pa simptoma,  mund ta bartin virusin. Prandaj duhet patjetër të mbahet maskë e të ruhet distance kudo ku hyni” – u shpreh Nuredini.

Zaev: Vaksinimi e drejtë personale, mbroni shëndetin

Kryeministri Zoran Zaev , apelon për vaksinim masiv për të mbrojtur shëndetin kolektiv.

“Çdokush ka të drejtë të vendos a do të vaksinohet apo jo, por shteti duhet të mbajë llogari për shëndetin kolektiv. Nëse unë nuk e pranoj vaksinën dhe hyj në një vend me mbi 30 persona, rrezikoj të gjithë 29 persona që të infektohen nga unë” – deklaroi Kryeministri Zoran Zaev.

Rritet numri i infektimeve, nga e hëna masa të reja restriktive

Numri i shtuar  i rasteve aktive në vend, shtron nevojën e masave të reja restriktive, më të rejat do të hyjnë në fuqi nga e hëna.

Nga 16 gushti ndalohet puna në ambientet e mbyllura të objekteve gastronomike, në ambientet e hapura do të punohet me kapacitet deri në  30 persona, por atje do të mund të hyjnë vetëm personat e vaksinuar, ose persona që janë në 45 ditët e para pas shërimit nga Covid-19.

Në çdo objekt gastronomik do të ketë person për mbajtjen e rendit që do të kontrollojë mysafirët, kurse objektet me kapacitete nën 30 persona nuk do të jenë të obliguar të kenë të angazhuar persona për mbajtjen e rendit. (Flutura Latifi, TVM2)