Maqedoni

Tetovë, autobuzët urbanë nisën të qarkullojnë

16.08.2021 15:28

U premtuan për disa mandate me radhë, e pasi u blenë, qëndruan edhe 8 muaj të parkuar...

U premtuan për disa mandate me radhë, e pasi u blenë, qëndruan edhe 8 muaj të parkuar, por më në fund, autobuzët e transportit publik në Tetovë, u vunë në përdorim. Nga Komuna thonë se lëshimi i autobuzëve në funksion,  nuk ka të bëjë përfitimin e pikëve politike tani që zgjedhjet lokale janë në prag, por me stërzgjatjen e procedurave administrative.
 
“Nuk e përdorim për pikë politike , por  tani erdhi momenti dhe siç e shihni mbrapa meje janë një pjesë e këshilltarëve nga të gjitha partitë politike.  Me këtë duam të tregojmë se kjo është vetëm një punë e zakontë të cilën e bën komuna e Tetovës, në kuadër të agjendës të saj.”, tha Bekim Memeti, kryetari i këshillit të komunës së Tetovës.
 
Në dhjetë ditët e para, qytetarët do të mund të shfrytëzojnë autobuzët falas, e gjatë kësaj kohe do të vendosen edhe tabelat me destinacionet dhe oraret e lëvizjes së autobuzëve. Nga ndërrmarja “Tetova Transport”, thonë se kanë kujdes për ruajtjen e shëndetit të qytetarve në këtë periudhë kur shifrat Covid në Tetovë, janë rritur në mënyrë rapide.
 
“I ndjekim protokollet, dhe qytetarët që do udhëtojnë në këtë periudhë duhet të mbajnë maska dhe distancë, autobusët do të funksionojnë me gjysmën e kapacitetit. Do të përpiqemi që përveç shoferit, të kenë një person tjetër i cili do të kontrollojë numrin e udhëtarëve dhe respektimin e masave në autobus.”, tha Darko Spirovski, drejtori i NP “Tetova Transport”.  
 
Biletat së shpejti do të fillojnë të shiten në pikat e caktuara në qytet e po punohet që të mund të blihen edhe në mënyrë elektronike
 
VISAR SADIKI