VMRO – DPMNE publikoi një pjesë të emrave të kandidatëve të cilët do të garojnë në zgjedhjet lokale. Nga 26 emrat e shpalosur, pjesa më e madhe janë figura të reja në skenën politike, profesorë dhe mjekë, për përzgjedhjen e të cilëve është marrë qëndrimi i qytetarëve. VMRO në Kisella Vodë do të garojë me Orce Gjeorgjievksin, në Qendër me Natasha Kotllar e cila është edhe femra e vetmë ndër emrat e publikuar. Në Shtip kandidohet deputeti Ivan Jordanov, ndërkaq në Veles Marko Kolev. Në njësinë e katër zgjedhore në komunat më të mëdha sikurse Radovishi kandidohet Aleksandar Ristov, Dojran – Filip Donçevski, Gjevgjeli – Andon Saramandov, Negotinë – Goran Stojanov dhe Prilep – Borçe Jovçeski. Emri I fundit në këtë grup të emrave të publikuar është Boban Stefkovski kandidat në komunën e Gazi Babës. Ditëve në vijim VMRO - DPMNE do të publikojë emrat e tjerë të kandidatëve përfshi edhe kandiatin për qytetin e Shkupit. Nga partia e Mickovskit thonë se në zgjedhje do të shkojnë me kuadër të përzgjedhur dhe me politikanë të rijn.
“LSDM ofron kandidatët e njejtë të cilët janë të harxhuar. Për dallim nga ata, VMRO shkon në zgjedhje me emra të rinj, me përvojë të pasur profesionale, të gatshëm ti përkushtohen komunave për të cilat do të garojnë. Gjatë përzgjedhjes së emrave të kandidatëve në rradhë të parë u nisëm nga vlersëimi i qytetarëve për atë se cfarë kanë nevojë të punohet në komunat e tyre. Por u morr në konsideratë edhe mendimi i kryesisë së partisë.”, tha Aleksandar Nikollovski, nënkryetar i VMRO – DPMNE- së.
LSDM: Shumica e kandidatëve, nga koha e Guevskit
Nga LSDM kundërpërgjigjen se oferta e Mickovskit nuk përfshin figura të reja dhe se shumica janë nga periudha e Gruevskit.
“Nuk ka asgjë të re në ofertën e Mickovskit. Jo vetëm që nuk janë kandidatë të rijn, por shumica prej tyre janë të periudhës së Gruevskit, të cilët ose kanë qenë kandiatë për këshilltarë ose kanë pasur funksione të caktuara në nivel local apo qendror. VMRO-DPMNE akoma nuk ka kandidat për Shkupin, kurse për Komunën qendër mbështet kandidat të partnerit të vogël që ka në koalicion.”, tha Bogdanka Kuzevska nga LSDM.
Zgjedhjet lokale, grumbullohen nënshkrime për listat e pavarura
Ndërkohë sot nisi grumbullimi i nënshkrimeve për listat e pavarura dhe procesi do të duhet të përmbyllet më 30 gusht në mesnatë.
“Nëpër disa njësi komunale veç më kanë filluar mbledhja e nënshkrimeve, e derisa në komuna të tjera kandidatët e mundshëm interesohen për procedurat. Dua të theksoj se rregullorja për mbledhjen e nënshkrimeve si dhe formularët e nevojshëm janë të publikuara në web faqen e KSHZ-së.”, tha Ljubka Guguchevska nga KSHZ
Nënshkrimet grumbullohen para personave zyrtare të KSHZ-së dhe noterit kompetent.
Më shumë grupacione të qytetarëve kanë paralajmëruar grumbullimin e nënshkrimeve, sikurse inicijativa qytetare ‘Shans për Qendrën’, ‘Të Pavarur për Karposhin’ dhe ‘Pranvera në Ohër’.
MERITA GASHI