Maqedoni

Rihapet spitali modular në Shkup, shtohet numri i fëmijëve të hospitalizuar

17.08.2021 17:17

Më shumë se 500 pacientë Covid pozitivë janë hospitalizuar në të gjithë vendin...

Më shumë se 500 pacientë Covid pozitivë janë hospitalizuar në të gjithë vendin, një numër disa herë më i lartë se vitin e kaluar. Spitali modular në Shkup, ka hapur sërisht dyert për pacientët covid.  Rritja e numrit të pacientëve ka bërë që edhe spitali 8 shtatori në Shkup, të adaptojë një repart shtesë. Atje ka 25 pacientë të hospitalizuar të gjithë mnë mbështetje oksigjeni. Tre prej tyre janë në respirator, me pasqyrë të rëndë klinike.  Pothuajse të gjithë pacientët, janë të pavaksinuar. 
 
“Kemi vetëm një pacient i cili ka qenë i Vaksinuar. Edhe pse është pranuar në spital, pasqyra klinike e tij nuk është e rëndë. E kemi pranuar për ta pbservuar e që ti bëhen analizat e detajuara e më pas do të lëshohet për kurim shtëpiak.”, tha Kristian Kostov, drejtor i spitalit 8 shtatori.
 
Rriten shifrat, të gjitha spitalet shtojnë repartet Covid
 
Në spitalin në Kozle, ka 15 fëmijë pozitivë.  Nevoja për shërim spitalor është shtuar gjatë fundjavës që lamë pas. Fëmijët me probleme në mushkëri, dërgohen në klinikën e sëmundjeve të fëmijëve. Për momentin në Kozle hospitalizohen vetëm fëmijët pozitivë me Kovid.
 
“Shumica janë infektuar me variantin delta. Që nga fundjava e deri më sot, numri I fëmijëve të hospitalizuar, është  rritur. Në përgjithsi janë me simptoma më të rënda se infektimet e më herëshme por ende nuk kemi një analizë krahasuese nga kjo valë e re.”, tha drejtori i spitalit të fëmijëve në Kozle.
 
Vazhdon të jetë alarmante situata në Tetovë, po hapen reparte të reja por mjekët atje thonë që kulmi i infeksionit, ende nuk është arritur. Atje në 24 orët e fundit ka pasur 24 hospitalizime të reja që e kanë rritur në 104 numrin e përgjithshëm të pacientëve Covid. Kontrollet ambulatore janë rritur në 224. Pas rritjes enorme të shifrave javën e fundit, edhe qytetet e tjera kanë shtuar repartet Covid.
 
Situata nuk është më e mirë as në Kosovë ku këto 24 orë u regjistruan edhe 1.765 raste të reja dhe 5 të vdekur. Në Shqipëri në 24 orët e fundit u shënuar 200 raste të reja dhe 2 fatalitete. 
 
MIGENA GORENCA