Maqedoni
Afganistan, talebanët premtojnë qeverisje ndryshe
18.08.2021 12:20
Më shumë se 2200 diplomatë dhe civilë të tjerë, janë evakuuar më avionë ushtarakë pasi talebanët morën kontrollin e plotë të Afganistanit....

Më shumë se 2200 diplomatë dhe civilë të tjerë, janë evakuuar më avionë ushtarakë pasi talebanët morën kontrollin e plotë të Afganistanit. Militantët thonë se duan paqe, se nuk do të hakmerren ndaj armiqve të vjetër Ata thanë se do të implementonin ligje më të buta, nga ato të viteve 1996 – 2001. Në qeverinë e re gjithëpërfshirëse, siç thanë, do të ketë vend edhe për gratë dhe do të respektojnë të drejtat e tyre brenda kornizës së ligjit Islamik.
“Ne nuk duam më shumë luftë. Duam paqe në Afganistan. Keni parë mijëra ushtarë të Forcave të Sigurisë Kombëtare Afgane që na luftonin, që derdhën gjakun tonë dhe qëndruan përkrah ushtrive të vendeve të huaja. Sapo mbaroi lufta, ne i falëm të gjithë. Dhe ata që kanë shkuar në aeroport nga frika dhe ende presin të largohen nga vendi , nuk do të dënohen nëse kthehen në shtëpi. Sa u përket të drejtave të grave, motrave dhe nënave tona do t'u jepen të gjitha të drejtat që Zoti u ka dhënë atyre, që u janë dhënë nga Sheriati . Gratë do të punojnë në fusha të ndryshme spias ligjeve të Sheriatit, mund të punojnë në arsim, shëndetësi dhe fusha të tjera, dhe do të luajnë një rol aktiv.”, tha Zabihullah Mujahid, zëdhënës i talebanëve.
Mijra afganë përpiqen të lëshojnë vendin, qëndrime të ndara për pushtetin e talebanëve
Por shumë njerëz nuk i besojnë këtyre deklarimeve nisur edhe nga fakti se gjatë sundimit të mëparshëm, gjithashtu i mbështetur te ligji Islamik, talebanët nuk lejuan vajzat të shkonin në shkollë, as gratë të punonin. Ato duhet të mbuloheshin plotësisht me burka kur dilnin jashtë, dhe kur e bënin këtë, duhej patjetër të ishin vetëm nën shoqërinë e një të afërmi të gjinisë mashkullore. Mijëra afganë, shumica e të cilëve kanë ndihmuar koalicionin e drejtuar nga SHBA përgjatë dy dekadave, janë të dëshpëruar të largohen.
“Ju lutem më ndihmoni të iki nga Afganistani. Kam 11 fëmijë, shumica prej tyre janë vajza, si do të jetojnë këtu”...
“Unë shkova në aeroportin e Kabulit me familjen time, por për fat të keq, nuk na dhanë leje për t'u larguar, Afganistani nuk është një vend i sigurt për të jetuar për shkak të talebanëve”...
“Ne u frikësuam kur I pamë talebanët në Kabul, të gjithë njerëzit janë të frikësuar. biznesmet, kujdesi shëndetësor, shkollat dhe bankat janë të mbyllura, po përballemi me një sfidë e madhe për të vazhduar jetën tonë këtu.”, u shprehën qytetarët afgan
Por ka edhe të tillë që thonë se talebanët që morën të dielën pushtetin, janë moderuar e qeverisja e re do të jetë ndryshme nga ajo e 20 viteve më parë.
“Mendoj se talebanët tani janë më të mirë në krahasim me qeverinë e mëparshme, talebanët janë më të modernizuar se më parë, gjithçka është normale tani në Kabul, për mua këtu nuk ka kufizime”...
“Unë nuk e kuptoj pse qeveria afgane po i dorëzohet talebanëve, por talebanët duken më mirë se më parë. Shpresojmë se do të ketë ndryshime reale dhe afatgjata nga talebanët.”, thanë qytetarët afgan.
Pushteti i talebanëve, Baradar kthehet nga ekzili, pritet me brohoritje
Teksa konsolidojnë pushtetin, një prej liderëve talebanë, Mullah Abdul Ghani Baradar, u rikthye në Afganistan për herë të parë në 10 vjet. Videot e postuara në rrjetin social Tëitter treguan njerëz që brohorisnin dhe gëzonin, teksa Baradar mbërrin në aeroportin e Kandaharit nga Katari, ku ishte në ekzil.
MIGENA GORENCA
