Maqedoni

Situata në Afganistan, MPJ: Të gjithë shtetasit e paraqitur, janë evakuuar

18.08.2021 14:13

Janë evakuuar tashmë të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që po qëndronin në Afganistan...

Janë evakuuar tashmë të gjithë shtetasit e Maqedonisë së Veriut që po qëndronin në Afganistan, informojnë nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ata për momentin gjenden  në shtete europiane, nga ku pritet të nisen për në Shkup. Shumica e të evakuuarve, që janë mbi 30, janë aktualisht në Mbretërinë e Bashkuar, mbi 20 qytetarë janë në Katar, nga ku së shpejti do të udhëtojnë drejt qendrat evropiane dhe më pas në Shkup. Në Oslo gjenden ndërkohë qytetarët tanë që kanë qëndruar në bazën e NATO-s në Kabul. Atje vazhdojnë të qëndrojnë shtetasit e RMV-së që kanë ende obligime në bazën e NATO-s, e ata  do të evakuohen kur kërkesa të realizohet.
 
Ardhja e refugjatëve, qeveria: Gati për 450 afganë, janë aleatët tanë
 
Nga qeveria ndërkohë, thonë se janë gati të gjitha përgatitjet për të pritur 450 afganët që do të qëndrojnë në RMV për një kohë, deri në largimin e tyre në destinacionin përfundimtar. 
 
“Pjesa më e madhe e 450 qytetarëve nga Afganistani, pritet të arrijnë me transport të organizuar në fund të javës, varësisht situatës në aeroportin e Kabulit. Bëhet fjalë për gratë e fëmijët e personave që kanë punuar për institucionet e huaja humanitare dhe misionet paqësore, aktivistë të organizatave për të drejtat e njeriut, gazetarë, përkthyes, studentë, pra për ata që në 20 vitete e kaluara ishin mbështetës të NATO-s dhe koalicionin në Afganistan e të Armatës së RMV-së. Vendi ynë ishte mes vendeve të para, nëse jo edhe vendi I parë, që vetë u ofrua tu japë ndihmë këtyre njerëzve, jeta e të cilëve u vu në rrezik me ardhjen e talebanëve.”, tha Muhamet Hoxha, zëdhënës i qevrisë.
 
Nga qeveria potencojnë se nuk ka rrezik për një krizë emigrantësh dhe akomodimi i tyre është pjesë e aksionit humanitar botëror. Shpenzimet për akomodimin e tyre në hotele, do mbulohen nga organizatat ndërkombëtare dhe nga SHBA, deri në largimin e tyre përfundimtar për në Amerikë ose vendet e treta, si destinacion përfundimtar. Edhe Këshilli i Ambasadorëve përshëndeti vendimin e Qeverisë për të strehuar përkohësisht civilët afganë, si dhe përpjekjet që po bën Ministria e Punëve të Jashtme për kthimin në vend të qytetarëve tanë të cilët për arsye  të ndryshme ndodhen në Afganistan.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU