Maqedoni

35 të hospitalizuar në Kërçovë, rrëmujë para qendrës së vaksinimit

18.08.2021 14:28

Ditëve të fundit, situata epidemiologjike në komunën e Kërçovës është rënduar dukshëm....

Ditëve të fundit, situata epidemiologjike në komunën e Kërçovës është rënduar dukshëm. Në qendrën Kovid në spitalin e  Kërçovës janë hospitalizuar 35 pacientë me gjendje të rënduar shëndetsore, 90% e tyre, të pavaksinuar. Në punktin e vaksinimit vërehen kolona të gjata njerëzish që presin me orë të tëra për të marrë vaksinat.
 
Ekipet  mjekësore vazhdojnë me imunizimin masiv në teren ndërsa në punktin e vaksinimit në Kërçovë gjatë ditëve të fundit krijohet një rrëmujë e panevojshme e cila shkakton nervozë dhe agresivitet tek qytetarët që presin për të marrë dozën e vaksinës anti Kovid dhe ky agresivitet, e vështirëson edhe punën e personelit mjeksor.
 
Mosrespektimi i masave anti Kovid e ka rënduar tejmase situatën epidemiologjike në Kërçovë, për momentin në Kovid Qendrën e Kërçovës janë të shtruar 35 pacientë të cilët trajtohen me terapi të oksigjenit. 
 
“Situata është shumë serioze, për momentin në hapësirat e Kovid Qendrës së Kërçovës  kemi 35 pacientë me gjendje të rënduar, pjesa dërrmuese e pacientëve janë të rinjë dhe 90 përqind e pacientëve të hospitalizuar nuk kanë marrë asnjë dozë të vaksinimit”, tha Dr. Stanko Tërpeski, drejtor i spitalit të Kërçovës.
 
Subjektet gastronomike të Kërçovës kryesisht i respektojnë masat e reja anti kovid. Në kafiteritë dhe restorantet e Kërçovës nuk shërbehen klientët që nuk posedojnë certifikatën e vaksinimit ose vërtetimin që dëshmon se personi e ka kaluar virusin korona. 
 
SHABAN DALIPI