Botë
Talebanët rrethuan aeroportin, 17 të lënduar gjatë kaosit, 12 të vrarë deri tani
19.08.2021 12:14
Situata në Afganistan mbetet e tensionuar. Qindra vetë mbeten të bllokuar në aeroportin Hamit Karzai...

Situata në Afganistan mbetet e tensionuar. Qindra vetë mbeten të bllokuar në aeroportin Hamit Karzai që është rethuar nga talebanët këtë të enjte, duke shtuar frikën për shtetasit afganë që punonin për Perëndimin. Grupi militant u ka premtuar të huajve kalim të sigurt në aeroport, por shtetasit afganë kanë hasur vështirësi. Talibanët u kërkonin atyre të tregonin dokumente dhe lejuan vetëm një numër fare të vogël të kalonte. Shumë njerëz nuk kishin pasaporta. Ndërsa turma shtynte për të hapur me forcë portën, talibanët qëllonin në ajër për t’i sprapsur. Gjatë rrëmujës në aeroportin e Kabulit janë plagosur 17 persona. 12 kanë vdekur ndërkohë brenda dhe rreth aeroportit, që nga e diela. Luftëtarët talebanë po shkojnë derë më derë në Kabul për të identifikuar shtetasit që kishin punë për bashkësinë ndërkombëtare.
Biden: Do të qëndrojmë derisa t’i evakuojmë të gjithë
Presidenti amerikan Joe Biden, thotë se forcat amerikane do të qëndrojnë në Afganistan derisa të gjithë qytetarët e Shteteve të Bashkuara të largohen nga ai vend, edhe nëse kjo nënkupton qëndrimin edhe pas afatit të fundit të 31 gushtit.
“Ne do të bëjmë gjithë që është e mundur për të nxjerrë prej andej amerikanët dhe aleatët tanë. Ky është objektivi ynë dhe këtu do të përqendrohemi tani… Nëse kanë mbetur qytetarë amerikanë, ne do të qëndrojmë atje derisa t’i largojmë të gjithë.”,- deklaroi presidenti i SHBA-ve, Joe Biden.
Deri tani nuk ka pasur “ndërveprime armiqësore me talibanët” dhe linjat e komunikimit me komandantët talibanë mbeten të hapura. Megjithatë, SHBA-të vlerësojnë se talibanët po shkelin premtimet.
“Talebanët thanë se nuk do të ketë raprezalie. Ata kanë bërë edhe një amnisti, rrugët janë hapur dhe njerëzit mund të lëvizin. Por kemi dëgjuar shumë histori nga gazetarët që raportojnë për postoblloqe, keqtrajtime e vështirësi në lëvizje. Por , edhe përkundër vështirësive, shumë afganë nga të gjitha kategoritë po gjejnë mënyrën për të arritur në aeroport.”,- tha zëvendëssekretarja amerikane e shtetit, Wendy Sherman.
Afganistan, talebanët premtuan paqe, situata flet ndryshe
Dhe frika nuk është e kotë. Në ditën kur u bënë premtime për respektimin e të drejtave të grave, në provincën Tahkaar, talebanët qëlluan për vdekje një grua pasi nuk kishte vendosur burkan në publik. Tre persona u vranë në Xhalalabad, ku qytetarët protestuan kundër zëvendësimit të flamurit kombëtar me atë të talebanëve. Veprimet e tilla arsyetojnë frikën mbi mënyrën si do të qeveriset vendi nën talibanët, të cilët këmbëngulin se do të respektojnë të drejtat e njeriut, ndryshe nga mënyra se si e qeverisnin vendin deri në vitin 2001. Por po shtohen njoftimet për abuzime nga grupe paraushtarake që veprojnë përgjithësisht pa kontroll.
Në përpjekje për një qeveri gjithëpërfshirëse, talebanët u takuan me ish-presidentin afgan Hamid Karazidhe ish-negociatorin e qeverisë në bisedimet për paqe, Abdullah Abdullah. Mosnjohja nga bashkësia ndërkombëtare ka goditur ekonomikisht vendin. BE ka njoftuar se po pezullon ndihmën e zhvillimit për vendin deri në një njoftim tjetër. Edhe FMN ka pezulluar fondet për këtë shtet. Por, talebanët u kanë bërë thirrje vendeve të huaja të mos e ndërpresin ndihmën financiare dhe kanë deklaruar se prodhimi i opiumit, nga i cili ata morën një pjesë të madhe të të ardhurave të tyre gjatë dy dekadave të fundit, do të kthehet në “zero”.
MIGENA GORENCA
