Maqedoni

Bllokimi i Ligjit në Kuvend, mbi 41 mijë qytetarë pa letërnjoftime

19.08.2021 13:26

41 100 qytetarë vazhdojnë të mbesin pa letërnjoftime të vlefshme edhe pse të njëjtit i kanë kryer të gjitha proceduarat për marrjen e tyre...

41 100 qytetarë vazhdojnë të mbesin pa letërnjoftime të vlefshme edhe pse të njëjtit i kanë kryer të gjitha proceduarat për marrjen e tyre. Qytetarët që kishin ardhur para sporteleve të MPB-së për të tërhequr dokumentet e gatshme nuk janë në dijeni për atë nëse dhe kur mund t’i marrin letërnjoftimet.
 
“Jam duke mbushur formularet, do t’i dorëzoj, pastaj do të shoh se çfarë do të më thonë.”,- tha një qytetar. 
 
“Erdha për të marrë letërnjoftimin, kishte shumë njerëz lartë andaj nuk u futa fare në radhë për të pritur. Nuk di a është gati.”,- u shpreh një qytetar. 
 
Problem me vonesa kishte edhe në tërheqjen e pasaportave.
 
“Erdha të marr pasaportën, më thanë për 10 ditë pune, sot është dita e 10 e punës dhe pasaporta nuk është akoma gati.”,- tha një qytetar. 
 
Kjo bllokadë e letërnjoftimeve qytetarët i ka vënë edhe në një problem shtesë duke ua pasivizuar llogaritë bankare. Një pjesë e bankave nuk i aktivizojnë xhirollogaritë për qytetarët me letërnjoftime të skaduara me çka këto të fundit e kanë të pamundur të realizojnë pagesa apo të tërheqin para të gatshme. Nga MPB apeluan subjektet afariste që të marrin parasysh vërtetimet e qytetarëve për letërnjoftim që janë lëshuar nga MPB.
 
“Kërkesat e qytetarëve për fotografim, gjegjësisht aplikimi për lëshimin e letërnjoftimeve pranohen me rregull dhe nga ana e MPB-së realizohet e gjithë procedura, aq më tepër që mundësitë teknike të sistemit parashikojnë shtypje të të gjitha dokumenteve, përfshirë edhe letërnjoftimet me emrin e ri kushtetues. Por, MPB nuk mund të fillojë lëshimin e letërnjoftimeve të reja derisa Ligji të miratohet. MPB apelon deri te subjektet afariste, sidomos ato të sektorit bankar që t’i pranojnë vërtetimet e qytetarëve si dëshmi se procedura për nxjerrjen e dokumentit të ri është në procedurë gjegjësisht t’u dalin në ndihmë klientëve të tyre me qëllim realizimin e të drejtave të tyre.”,- u tha nga MPB.
 
E gjithë kjo ngecje në marrjen e letërnjoftimeve po ndodh si pasoj e bllokimit të ligjit të ri për letërnjoftime në Kuvend nga ana e partisë e Majta me të cilën i hapet rrugë përdorimit të emrit “Republika e Maqedonisë së Veriut” në dokumentet e identifikimit. Për debllokim të ligjit për letërnjoftime do duhet të pritet muaji shtator kur Kuvendi rikthehet me punime. Nga MPB ftojnë subjektet politike të përfaqësuara në Kuvend që në interes të qytetarëve të gjejnë zgjidhje për tejkalimin e këtij problemi. Edhe nga Qeveria theksojnë se po punojnë për gjetjen e një zgjidhje ad-hok për t’u dale në ndihmë qytetarëve.
 
ZEKIRJA MEXHITI