Maqedoni

Zgjedhjet lokale 2021, Mickovski dhe Zaev të bindur për fitore

19.08.2021 13:57

Edhe pse fushata zgjedhore do kohë që të fillojë zyrtarisht, partitë kanë ndezur motorët zgjedhorë...

Edhe pse fushata zgjedhore do kohë që të fillojë zyrtarisht, partitë kanë ndezur motorët zgjedhorë dhe kanë shtuar akuzat ndaj njëri-tjetrit. Lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski, zgjidhjen e të gjitha problemeve në vend i sheh tek zgjedhjet lokale, në të cilat, sipas tij, do ta mposhtin politikën e gabuar të Qeverisë. VMRO-DPMNE thotë se qeveria do të kërkojë shtyrjen e zgjedhjeve, por nuk do t’u lejojnë.
 
“E vetmja mënyrë për t’i tejkaluar të gjitha këto probleme është që të veprohet në mënyrë invazive, e ajo është fitorja e opozitës së bashkuar në zgjedhjet lokale dhe humbje katastrofale e kësaj Qeveri të paaftë e udhëhequr nga LSDM dhe BDI. Nëse ne i detektojmë problemet, por nuk veprojmë, atëherë problemi vetëm do të prolongohet. Shtyrja e zgjedhjeve nënkupton edhe shtyrjen e problemeve aktuale, prandaj ato janë të frikësuar dhe do të gjejnë shumë arsyeje që të thërrasin në shtyrjen e zgjedhjeve.”,- deklaroi kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickovski.
 
Për liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, me këtë retorikë nacionaliste, Mickovski vetëm konfirmon humbjen e thellë në zgjedhjet lokale.
 
“Qëndrimi i tyre nacionalist të cilin e kanë në një shoqëri multietnike, do të jetë edhe një arsye për humbjen e tyre në zgjedhjet lokale, gjithçka ne punojmë sot, qytetarët do të vlerësojnë më 17 tetor, ata do të vendosin çka është më e mira për ta, sepse mbi 65 për qind të politikave për qytetarët vijnë nga komunat ku jetojnë. Prandaj të bësh politikë në një shoqëri multietnike është sikur të ngasësh biçikletën dhe nëse nuk dinë këtë ta bësh do të biesh, edhe Mickovski nuk di ta ngasë këtë biçikletë.”,- tha kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
 
Teksa Mickovski fton për bashkim të opozitës, kryetari i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev, në një status në FCB, thotë se synimi i subjektit që ai drejton nuk është për ta sjellë dikë në qeveri, qëllimi i së Majtës është të vijë vetë në pushtet.


FITIM KRYEZIU