Botë

Vaksinimi, interesimi më i madh pas masave anti-Covid

19.08.2021 15:22

Vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe janë mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë...

Vaksinat janë të sigurta dhe efektive dhe janë mënyra e vetme për të mposhtur pandeminë. Vetëm vaksinimi i plotë parandalon format e rënda të sëmundjes, zvogëlon mundësitë për infektim, theksojnë nga Ministria e Shëndetësisë. Ndërkohë, pas miratimit të masave të reja, interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar është rritur dukshëm.
 
“Masat e reja na kanë detyruar për t’u vaksinuar.”,- tha një qytetar.
 
“Ligji është ligj, duhet të respektohet.”,- theksoi një qytetar.  
 
“Jo nuk do të vaksinohem.”,- u shpreh një qytetar.  
 
“Kisha në plan të vaksinohesha në korrik, por vendosa tani të vaksinohem.”,- u shpreh një qytetar.  
 
“Duhet të kemi kujdes, kjo është shumë me rëndësi.”,- tha një qytetar. 
 
Gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 16.955 qytetarë, 11.925 prej të cilëve kanë pranuar dozën e parë. Numri i personave të vaksinuar në vendin tonë shkon në 624.819 persona. 
 
Ministria e Jashtme: BE njeh certifikatat digjitale të RMV-së për Covid-19
 
Ndërkohë, Ministria e i Punëve të Jashtme ka njoftuar se Bashkimi Evropian do të njohë certifikatat digjitale të Maqedonisë së Veriut për Covid-19. 
 
“Komisioni Evropian sot solli vendim me të cilin garantohet se certifikatat për COVID-19 të lëshuara nga Republika e Maqedonisë së Veriut do të konsiderohen ekuivalente me Certifikatën Digjitale të BE-së për COVID-19. Kjo do të thotë që vendi ynë do të jetë i lidhur me sistemin e BE-së dhe se certifikata për COVID-19 e lëshuar nga autoritetet tona do të pranohet në BE nën të njëjtat kushte si Certifikata Digjitale e BE-së.” , thonë nga MPJ.
 
Vetëm qytetarët që kanë marrë vaksina të miratuara nga BE do të mund t’i shmangen kufizimeve të mundshme për udhëtim.
 
REJHANE BUSHI METAJ