Maqedoni

Më pak klientë në kafenetë në Strugë, pronarët e lokaleve ankohen se nuk kanë fitim

19.08.2021 16:20

Masat e reja kufizuese për mbrojtje nga Covid-19, kanë ulur ndjeshëm numrin e klientëve nëpër kafene dhe restorante në Strugë....

Masat e reja kufizuese për mbrojtje nga Covid-19, kanë ulur ndjeshëm numrin e klientëve nëpër kafene dhe restorante në Strugë. Para vendosjes së masave të reja, kafenetë ishin të mbushura plot e nuk kishte vende të lira, nga dita e hënë nuk ka më njerëz, vetëm tavolina bosh. Punonjësit e objekteve gastronomike thonë se kjo situatë është shumë e rëndë dhe nëse vazhdohet kështu nuk do të mund të përballojnë harxhimet.
 
“Siç e shihni, nga dita që erdhën masat në fuqi është dobët, kanë filluar të largohen njerëzit që ishin turist, por mbi të gjitha shëndeti i njerëzve. Po është ul mbi 50% numri i klientëve në lokal.”,- deklaroi pronari i një objekti gastronomik, Robert Dauti.
 
“Puna është katastrofë me këtë gjendje, është katastrofë për ne, njerëzit ngrihen puna bie, me këtë gjendje s’mund ta përballojmë.”,- theksoi një punonjës gastronomik.
 
Punonjësit gastronomik thonë se situata i gjeti të papërgatitur dhe ka klientë që ua vështirësojnë punën, sepse duan të ulen në kafene edhe pse nuk janë të vaksinuar. Ndërsa një pjesë e qytetarëve e shohin vaksinimin si rrugëdalje. 
 
“Kemi edhe raste që ka klientë të cilët duan të ulen por nuk u lejohet shkaku i rregullave të reja.”,- u shpreh pronari i një objekti gastronomik, Robert Dauti.
 
“Me klientët kemi problem, dikush merr vesh, dikush nuk merr vesh, dikush ulet dhe nuk ngrihet.”,- theksoi një punonjës gastronomik.
 
“Vaksina është e domosdoshme, po ta marrim të gjithë do të ndalojmë përhapjen e Koronës. Që të jetë më sigurt e që të mos ketë më pandemi është mirë që ta marrin të gjithë vaksinën.”,- theksoi një qytetar.
 
“Të gjitha masat duhet të respektohen, në të gjithë botën ka masa restriktive, që ne të shpëtojmë nga ky virus, duhet t’i respektojmë masat.”,- tha një qytetar. 
 
Që nga lajmërimi dhe hyrja në fuqi e masave të reja të qeverisë, në Strugë është rrit interesimi për imunizim sidomos nga moshat më të reja. Në dy pikat e vaksinimit në Strugë, brenda një dite vaksinohen rreth 400 qytetarë. 
 
ILMIE ZHAKU