Maqedoni

Zgjedhjet lokale, ASh-AAA konfirmojnë negociatat me VMRO–në

19.08.2021 16:44

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë kah fundi i negociatave me opozitën maqedonase VMRO-DPMNE...

Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa janë kah fundi i negociatave me opozitën maqedonase VMRO-DPMNE për të bashkëpunuar në zgjedhjet lokale në të dyja raundet. Sekretari i përgjithshëm i ASH-së Taravari, thotë se nuk përjashtojnë  asnjë parti politike për  bashkëpunim ndërkaq sqaroi se  me VMRO-DPMNE-në vendosën të negociojnë pasi që BDI zgjodhi për bashkëpunim partnerin e vet maqedonas qeveritar. Taravari akuzoi ndërkohë koalicionin BDI-LSDM për presione ndaj të punësuarve në administratën publike që nuk ndajnë qëndrime të njëjta me partitë në pushtet.
 
“Kemi pasur kontakte, jemi duke negociuar dhe jemi duke përfunduar negociatat dhe sipas të gjitha gjasave AA dhe Alternativa së bashku do të kenë bashkëpunim, në disa komuna në raundin e parë në disa komuna në raundin e dytë, në bazë të disa vlerësimeve të komunave  ku ka arsye dhe matematika që na bashkojnë për t’i fituar komunat. Qëllimi është shumë fisnik, që të bëhet ndryshimi. Mendoj se me kësi lloj kombinimesh si kundërpërgjigje ndaj asaj që ndodhi, bashkëpunimi LSDM-BDI, shpresojmë se do t’i fitojmë një pjesë dërmuese në Maqedoninë Perëndimore.”,- deklaroi sekretari i përgjithshëm i AASH-së, Arben Taravari.
 
Për Strugën, Kërçovën dhe Tetovën Aleanca për Shqiptarët dhe  Alternativa  do të kenë kandidatin e tyre qysh në raundin e parë por kjo do të vendoset në fund të javës në mbledhjet e kuvendeve të degëve tha Taravari.
 
Të pavarurit mbledhin nënshkrimet, partitë vazhdojnë selektimin e kandidatëve
 
Ndërkohë vazhdon mbledhja e nënshkrimeve të kandidatëve të pavarur. Nisma qytetare "Mundësi  për Qendrën" arriti të marrë mbështetjen e nevojshme ku do garojë me listën e kandidatëve për këshilltarë. Të mërkurën edhe iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën”, nisi mbledhjen e nënshkrimeve  për këshilltarë.
 
Edhe partitë janë në fazën përfundimtare të emrave të kandidatëve. BDI ka konfirmuar kandidaturat  në Çair, Strugë, Dibër, Saraj, Likovë, Kërçovë dhe Tetovë. ASh ka bërë publike kandidaturat për Gostivarin, Bogovinën, Vrapçishtin dhe Çairin. Nga Besa gjysmë zyrtare janë vetëm kandidaturat për Gostivarin dhe Tetovën. PDSh ka bërë publike kandidaturat për Tetovën, Studeniçanin, Gostivarin dhe për disa komuna të tjera.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU