Maqedoni
Masat e reja, SHOE: Janë të pazbatueshme në praktikë
19.08.2021 17:18
Shoqata e Odave Ekonomike ankohet se masat e reja shkaktojnë probleme shtesë për shkak të selektivitetit dhe moszbatimit të tyre në praktikë....

Shoqata e Odave Ekonomike ankohet se masat e reja shkaktojnë probleme shtesë për shkak të selektivitetit dhe moszbatimit të tyre në praktikë. Nga SHEM thonë se janë pro vendosjes së një sistemi mbrojtës, por me masa logjike dhe jodiskriminuese, të cilat realisht do të arrijnë mbrojtjen e të gjithë qytetarëve.
“Në praktikë ndodh që gjatë inspektimit të kërkohet një certifikatë vaksinimi për të gjithë personat në objekt, duke mos bërë dallim midis punonjësve dhe vizitorëve, kështu që ekziston mundësia për të kufizuar zgjedhjen personale të punonjësve nëse duan të vaksinohen… Dykuptimësia e masave nga qeveria i vë në një pozitë të palakmueshme punëdhënësit që nuk e dinë nëse dhe si të veprojnë. Në të njëjtën kohë, edhe pse për personat nën 18 vjeç nuk ka ndonjë dispozitë që kërkon që ata të paraqesin një certifikatë Covid, në praktikë në shumë raste, ata nuk lejohen të hyjnë me shpjegimin nga policia se "duken" më të vjetër se sa janë në të vërtetë, e këtë gjë ata nuk kanë si ta provojnë. Është gjithashtu e paqartë nëse personat nën 18 vjeç regjistrojnë numrin e përgjithshëm prej 30 personash në objekt i cili është kusht me masat shtesë.”,- tha Aleksandra Аndreeva nga Shoqata e Odave Ekonomike.
Teksa kërkohet certifikatë vaksinimi për kafenetë, restorantet e qendrat tregtare, asnjë dokument nuk duhet paraqitur në autobusët urbanë, ku mundësia për infektim është më e lartë. Nga SHOE thonë se ka hapësirë për interpretim dhe zbatim arbitrar të sanksioneve nga institucionet, madje po shfaqet edhe fenomeni i tregtisë me certifikata vaksinimi, e objektet gastronomike nuk kanë asnjë mënyrë për të përcaktuar besueshmërinë e tyre.
MERITA GASHI
