Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, të shtunën nis këqyrja publike e listës zgjedhore
20.08.2021 12:54
Nga e shtuna e deri më 9 shtator, nis kontrolli publik i Listës Zgjedhore për zgjedhjet lokale të vjeshtës...

Nga e shtuna e deri më 9 shtator, nis kontrolli publik i Listës Zgjedhore për zgjedhjet lokale të vjeshtës. Në këtë afat kohor, qytetarët do të mund të kontrollojnë nëse gjenden apo jo në Listën e vetme Zgjedhore ose nëse të dhënat e tyre janë të sakta, e për çdo gabim eventual mund të drejtohen në kohë në KShZ për korrigjimin e të dhënave. Qytetarët mund t’i kontrollojnë të dhënat përmes ueb faqes së Komisionit Shtetëror Zgjedhor – www.sec.mk ose në https://izbirackispisok.gov.mk/. Afati i fundit për ndryshimin e Listës Zgjedhore jo vetëm nga qytetarët por edhe nga partitë politike është 24 shtatori.Nga 16 gushti rrjedh ndërkohë procedura e mbledhjes së nënshkrimeve për listat e pavarura të kandidatëve.
Në zyrat rajonale të KSHZ-së, janë mbledhur nënshkrimet për 4 listat e këshilltarëve të pavarur për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 17 tetor. Nënshkrimet e nevojshme i ka grumbulluar një nga listat e kandidatëve të pavarur për këshilltarë për Komunën Qendër, lista e këshilltarëve për komunën e Kavadarcit, Rosomanit dhe për komunën e Koçanit. Vazhdon ndërkohë mbledhja e nënshkrimeve për kandidaten e pavarur për kryetare të Qytetit të Shkupit Ana Petrovska, për Vasko Kostov- kandidat I pavarur për kryetar të Komunës së Karposhit, për Zoran Lazarovski Paljon- kandidat për kryetar të Manastirit, Dejan Velinovski- kandidat për kryetar Makedonska Kamenicës, Senat Useinoski - kandidat për kryetar të komunës së Ohrit dhe Sllobodan Danevski- kandidat për kryetar të komunës së Sveti Nikollës, njoftojnë nga KShZ.
Listat e pavarura të kandidatëve, KShZ: Nënshkrime për katër lista, afati deri më 30 gusht
Vazhdon mbledhja e nënshkrimeve edhe për listat e tjera të pavarura të këshilltarëve për qytetin e Shkupit dhe për komunën e Kumanovës, Velesit, Gazi Babës, Mogillës, Vinicës dhe Ceshinovë- Obleshevë si dhe për dy lista të pavarura këshilltarësh në komunën e Ohrit dhe po dy lista të pavarura për këshilltarë në komunën e Karposhit. Mbledhjen e nënshkrimeve e ka nisur edhe Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën”. Nga KSHZ njoftojnë se zyrat e tyre rajonale janë të hapura çdo ditë nga 8 e mëngjesit deri në 8 të mbrëmjes. Ata do të punojnë deri në orën 21:00 më 27, 28 dhe 29 gusht, dhe deri në mesnatë më 30 gusht, kur edhe është afati i fundit për dorëzimin e nënshkrimeve për kandidatët dhe listat e pavarura të këshilltarëve komunalë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
