Maqedoni
Viti i ri shkollor, Carovska: Me prani fizike, gati skenarët e tjerë
20.08.2021 13:27
Edhe përskaj rritjes së rasteve pozitive, ministrja e Arsimit, Milla Carovska, thotë se nuk ka nevojë për panik...

Edhe përskaj rritjes së rasteve pozitive, ministrja e Arsimit, Milla Carovska, thotë se nuk ka nevojë për panik, e ripotencon se nga 1 shtatori shkollat do të jenë të hapura me prani fizike për të gjithë nxënësit, ky është i pari dhe më i dëshiruari nga tre skenarët për fillimin e vitit të ri shkollor. Nëse situata epidemiologjike ndryshon, MASh ka gati skenarin e dytë, pra model hibrid - alternativ, një grup nxënësish në klasë dhe gjysma e klasës – online, me ndryshime të përjavshme dhe modeli i tretë, si vitin e kaluar – për një kategori mësim me prani fizike, e për të tjerët mësim nga distanca. MASh do të ndjekë me kujdes situatën, për të kaluar, nëse ka nevojë, në skenarin e radhës.
“Në një moment të caktuar, nëse Komisioni për Sëmundje Infektive vendos që ne të ndryshojmë modelin, në kohë do të jemi gati për të tre skenarët… Fillimi i vitit shkollor do të jetë me prani fizike për të gjitha nivelet e arsimit fillor dhe të mesëm dhe për të gjithë nxënësit. Presim që të respektohen të gjitha protokollet. Të gjitha shkollat në mënyrë intensive janë duke u përgatitur... që të mund të kemi atmosferë të sigurt për mësim. Mbi 62% e mësimdhënësve janë vaksinuar dhe në mënyrë intensive rrjedhë vaksinimi i atyre që kanë mbetur.”,- deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska.
UNICEF: Masat vlejnë për të gjithë, edhe për shkollat
Skenarët e dytë dhe të tretë janë më të padëshirueshëm. UNICEF thotë se është më mirë që nxënësit t’i kenë shkolla të hapura dhe që ato të qëndrojnë të hapura sa më gjatë që të jetë e mundur.
“Në fakt është shumë e thjeshtë, Ajo që ndodh në komunitet, ndodh edhe nëpër shkolla. Jashtë shkollës prindërit duhet të mbajnë maska, shitësit duhet të mbajnë maska, duhet të lahen duart e të respektohet distance. Pra, gjithçka për të mbajtur virusin larg komunitetit. E njëjta duhet të vlejë edhe për shkollat sepse edhe ato janë pjesë e komunitetit. E nëse respektojmë masat gjithkund, komunitetet do të jenë të sigurta por edhe shkollat do të jenë të sigurta.”,- theksoi përfaqësuesja e UNICEF-it, Patricia Di Giovanni.
Një sondazh i fundit i UNICEF -it zbuloi se 88 për qind e mësuesve vlerësojnë se fëmijët nuk e kishin problem t'i përmbaheshin masave, madje edhe më shumë se të rriturit. 50 për qind e prindërve thanë se do të preferonin që fëmijët e tyre të ktheheshin në shkollë. UNICEF përmes USAID-it, i dhuroi shkollës fillore "Kliment Ohridski" në Draçevë një stacion mobil për larjen dhe dezinfektimin e duarve. Donacioni është pjesë e 52 stacione për 15 shkolla në vend.
FARIJE DAUTI BAKIJU
