Maqedoni
Zgjedhjet lokale 2021, VMRO: Koalicion me ASh-AAA-në dhe me parti të tjera
20.08.2021 14:22
Partitë vazhdojnë me publikimin e emrave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit....

Partitë vazhdojnë me publikimin e emrave të kandidatëve për zgjedhjet lokale të 17 tetorit. Nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski, thotë se së shpejti do të bëhen publike edhe detajet e koalicionit mes VMRO-DPMNE-së dhe opozitës shqiptare. Qëllimi është që VMRO-DPMNE-ja të ndihmojë aty ku i duhet ndihmë ASh-AA-së, kurse këta të fundit të ndihmojnë në komunat ku i duhen vota VMRO-DPMNE-së. Paralajmëroi përfshirje edhe të partive më të vogla në koalicion.
“Sa i përket koalicionit me Aleancën dhe Alternativën shpresojmë se së shpejti do t’i kumtojmë detaje ku gjithashtu do të kemi mbledhje të Komitetit Qendror ku do t’i precizojmë të gjitha çështjet, ndërsa i lejojmë hapësirë të gjitha organeve të partisë të prononcohen që më pastaj të bëjmë çfarëdo qoftë marrëveshje. Qëllimi është që atje ku ne mund të ndihmojmë ta bëjmë atë dhe atje ku ata mund të na ndihmojnë ne, por nuk është vetëm ASH-AA, në koalicion do të përfshihen edhe parti tjera.”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.
VMRO–DPMNE shpalos kandidaturat e tjera
U njoftuan ndërkohë edhe emrat e grupit të dytë të 20 kandidatëve për kryetarë komunash nga radhët e VMRO-së. Për kandidatin e Shkupit ende realizohen anketa.
“Këta janë njerëz të cilët do të sjellin fitore, premtojmë shumë punë dhe projekte.”,- tha nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.
LSDM: Miskoski dëshmoi se s’u beson kandidatëve të tij
Nga LSDM thonë se mosprania e kreut të VMRO-së në shpalljen e kandidatëve tregon se as Mickovski nuk u beson atyre.
“Hristijan Mickoski sërish dëshmoi se nuk beson në kandidatët e tij, andaj nuk u paraqit në shpalljen e kandidaturave. Në pjesën më të madhe bëhet fjalë për emra që kanë pasur funksione lokale dhe qendrore në kohën e regjimit të Nikolla Gruevskit. Ajo që është interesante, përsëri nga VMRO-DPMNE nuk dëgjuam emrin e kandidatit për kryetar të qytetit të Shkupit dhe kjo na çon në përfundim se pikërisht VMRO-DPMNE ka shumë pak besim në kryeqytet dhe gjithsesi në një nga komunat më të mëdha të qytetit të Shkupit, në Qendër, ku ata mbështesin kandidat nga një partner i vogël i koalicionit.”,- theksoi zëdhënësja e LSDM-së, Bogdanka Kuzeska.
LSDM ka shpallur tashmë 35 kandidatët e parë për kryetarë komunash, katër prej të cilëve rikandidohen, dhe ka dalë me një thirrje të hapur për vetëkandidim për këshilltarët në komunat dhe Qytetin e Shkupit.
Partitë vazhdojnë përzgjedhjen e kandidatëve
BDI ka konfirmuar kandidaturat në Çair, Strugë, Dibër, Saraj, Likovë, Kërçovë dhe Tetovë. ASh ka bërë publike kandidaturat për Gostivarin, Bogovinën, Vrapçishtin dhe Çairin. Për Strugën, Kërçovën dhe Tetovën, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa do të vendosin në fundjavë. PDSh ka bërë publike kandidaturat për Tetovën, Studeniçanin, Gostivarin, Tearcën dhe për disa komuna të tjera. Nga Besa gjysmë zyrtare janë vetëm kandidaturat për Gostivarin dhe Tetovën.
ZEKIRJA MEXHITI
