Maqedoni
Ministria e Shëndetësisë: 15% të vaksinuar nga rreth 10 mijë të infektuar
20.08.2021 14:51
Nga 6 deri më 19 gusht, në vend janë regjistruar 9881 qytetarë pozitivë ndaj SarsCOv2....

Nga 6 deri më 19 gusht, në vend janë regjistruar 9881 qytetarë pozitivë ndaj SarsCOv2. Shifrat e publikuara nga Ministria e Shëndetësisë për këto dy javë tregojnë se vetëm 15% e të infektuarve të rinj, apo 1507 persona, kanë qenë të vaksinuar me të dy dozat. 8374 të infektuarit e tjerë janë të pavaksinuar. 91% e hospitalizimeve janë pikërisht persona të pavaksinuar, vetëm 9% e gjithsej 724 pacientëve të hospitalizuar për momentin janë plotësisht të vaksinuar. Vdekshmëria te të pavaksinuarit është në mënyrë drastike më e lartë, tregon analiza. 101 viktima Kovid janë shënuar në dy javët e fundit, 92 prej tyre nuk kanë qenë të vaksinuar, vetëm 8% kanë pranuar vaksinën por kanë pasur më shumë sëmundje kronike.
Procesi i vaksinimit, Filipçe: Interesimi dukshëm është rritur
Ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe, ripërsërit se vetëm vaksinimi mund të ndryshojë fotografinë e pandemisë në vend. Ka një interes të shtuar për vaksinime për shkak të masave të reja, por Filipçe thotë se është rritur edhe vetëdija për rrezikun.
“Brenda ditës vaksinohen rreth 12 mijë - 13 mijë njerëz, më herët kishim rreth 2 - 3 mijë. Kjo do të thotë se rritet vetëdija tek qytetarët për nevojën e vaksinës. Besoj se nuk është vetëm për shkak të masave ani-Covid, faktet dhe numrat shumë qartë tregojnë se vaksinimi është e vetmja mundësi për të ndryshuar fotografinë e pandemisë. Një numër shumë i vogël i personave të vaksinuar sëmuren, pra ajo që është me rëndësi është fakti që vaksina zvogëlon 20 herë rrezikun nga sëmundja, por edhe nga vdekja. Ditëve të fundit është shtuar për rreth 38% vaksinimi i të rinjve.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Autoritetet thonë se çdo vaksinë është e sigurt dhe ul gjasën nga sëmundja, parandalon format e vështira të saj dhe mbron nga pasojat me vdekje. Ministria e Shëndetësisë apelon për vaksinim masiv për parandalim të mutacioneve të reja të mundshme.
REJHANE BUSHI METAJ
