Maqedoni

Regjistrimi 2021, interesim i ulët për regjistrues rajonalë

20.08.2021 15:36

Për dy javë në vend, fillon procesi më i rëndësishëm statistikor, Regjistrimi i Popullsisë.....

Për dy javë në vend, fillon procesi më i rëndësishëm statistikor, Regjistrimi i Popullsisë. Megjithëse Enti Shtetëror i Statistikave shtoi për herë të tretë afatin për paraqitjen e regjistruesve rajonalë, numri i të interesuarve vazhdon të jetë i ulët. U shtua edhe shuma që regjistruesit do të marrin për punën e tyre 25 ditore, që varion nga 25 mijë deri në rreth 45 mijë denarë. Habit fakti që megjithëse shumë qytetarë ankohen se nuk ka punë, e një nga kushtet kryesore për regjistruesit, është pikërisht që personi të jetë i papunë, sërish aplikimet janë të pakta. 

Afati  për paraqitjen e regjistruesve dhe instruktorëve rajonalë është vazhduar deri më 25 gusht, ndërsa operacioni statistikor duhet të fillojë më 5 shtator dhe të zgjasë deri në fund të muajit. Ende nuk dihet nëse koha për të trajnuar regjistruesit deri në fillimin e procesit, do të jetë e mjaftueshme. Nga ESHS sigurojnë se procesi do të zhvillohet i sigurt, e regjistrimi do të bëhet në ambiente të hapura për të mbrojtur edhe qytetarët, por edhe regjistruesit nga infektimet e mundshme të shkaktuara nga Covid-19.