Maqedoni

Rekord infektimesh, mbushen spitalet në Tetovë e Gostivar

20.08.2021 15:58

Situata me pandeminë në rajonin e Pollogut është jashtëzakonisht e rëndë....

Situata me pandeminë në rajonin e Pollogut është jashtëzakonisht e rëndë. Shifrat treshifrore të ditëve të fundit në të dyja komunat kanë mbushur pothuajse deri në fund kapacitetet spitalore. Në statistikat  Covid vdekjet nga ky rajon po bëhen gjithnjë e më të shpeshta. Vetëm në 24 orët e fundit në Tetovë humbën jetën 9 qytetarë teksa numri i të hospitalizuarve është rritur në 125. Shqetësues vazhdon të jetë fakti se pjesa më e madhe e pacientëve nuk janë vaksinuar. 
 
“Numri të pacientëve të hospitalizuar është 124 pacientë prej këtyre, 13 janë vaksinuar vetëm me dozën e parë, ndërkaq vetëm 3 pacientë kanë edhe dozën e dytë me çka mbi 90% janë pacientë të pavaksinuar. Sa i përket numri të të vdekurve, kemi numër të madh 9 pacientë me sëmundje të ndryshme. Për arsye se ka pacientë me të vërtetë të sëmurë, e shtuam numrin e internistëve në repartin Kovid. Vaksinimi është metoda e vetme por jo në çdo lloj forme të mos pritet si duhet atje apo të mos mbahet distancë.”,- deklaroi koordinatori i Qendrës Kovid – Tetovë, Gëzim Nuredini.
 
Gostivari është i dyti në listën ditore Covid për nga numri i infektimeve të reja. Në spitalin e Gostivarit ka mbi 250 pacientë të shtruar. Në funksion të pacientëve Covid janë vënë edhe reparti intern edhe ai i neurologjisë por edhe ata janë plot. 
 
“Situata është alarmante, është rritur dukshëm numri i pacientëve me Kovid. Në ditë kemi 15 thirrje, vende të lira nuk ka as në spital as në infektologji.”,- theksoi mjekja në spitalin e Gostivarit, Flarushe Osmani.
 
Teksa spitalet nuk kanë më vend dhe mjekët alarmojnë se kanë vështirësi për t’u përballur me fluksin e të infektuarve të rinj, 12 persona nga Tetova e Gostivari janë larguar nga izolimi i detyrueshëm drejt vendeve të perëndimit. Sipas policisë, ata do të përballen me masa adekuate për shkak të rrezikimit të shëndetit publik.  
 
VISAR SADIKI