Maqedoni
Vazhdon rrëmuja para pikave të vaksinimit, rritet interesi për vaksina, shkak masat dhe frika
20.08.2021 16:17
Personat e uniformuar kanë vështirësi të kuptohen me njerëzit e grumbulluar para qendrave të vaksinimit....

Personat e uniformuar kanë vështirësi të kuptohen me njerëzit e grumbulluar para qendrave të vaksinimit. Dyshimi se ndonjë qytetar është lejuar të hyjë të vaksinohet pa radhë, krijon situatë të zhurmshme para poliklinikës “Bukuresht” në Shkup.
“Ka 4 orë që pres për vaksinim me fëmijën e vogël me vete. Unë pres katër orë e ka të rritur që nuk presin dot po hyjnë pa radhë.”,- tha një qytetar.
“Nuk mbajnë rend, po duhet të presim.”,- theksoi një qytetar.
Mjekët dhe infermierët në këtë punkt punojnë pa asnjë moment pushimi për të vaksinuar njerëzit e shumtë që presin. Në dy ndërrime në ditë këtu vaksinohen rreth 1500 qytetarë. Thonë se ata që vijnë në këtë qendër kanë edhe pika të tjera vaksinimi më afër vendbanimit të tyre e një shpërndarje e drejtë e qytetarëve do të evitonte rrëmujat. Arsyet përse është shtuar numri i të vaksinuarve janë të ndryshme.
“Po vaksinohem se tani kam nevojë, do udhëtoj jashtë.”,- tha një qytetar.
“Nuk shkojmë dot askund pa vaksinë, as në dyqan as në kafene.”,- theksoi një qytetar.
“Për shkak të masave, ndoshta do na ndalojmë edhe në qytet të lëvizim.”,- u shpreh një qytetare.
Në nivel shtetëror, përqindja e të vaksinuarve është 30.
FARIJE DAUTI BAKIJU
