Maqedoni

“Për momente të lumtura, VAKSINOHU!”, Filipçe: Imunitet afatgjatë, vetëm me vaksina

23.08.2021 13:42

Qeveria nisi fushatë “Për momente të lumtura, VAKSINOHU!”, për të inkurajuar imunizimin masiv...

Qeveria nisi  fushatë “Për momente të lumtura, VAKSINOHU!”, për të inkurajuar imunizimin masiv, si mënyra e vetme për t'i dhënë fund pandemisë. Statistikat treguan se në qytetet ku ka shkallë të lartë të imunizimit si Manastiri, Ohri dhe Gjevgjelia, nuk ka presion mbi spitalet, por atje ku qytetarët nuk janë të vaksinuar siç janë Tetova dhe Gostivari, spitalet janë të mbingarkuara dhe numri i fataliteteve po rritet. Ministri Filipçe përkujton se imuniteti i vetëm afatgjatë është ai që fitohet përmes vaksinimit.
 
“Numri i të infektuarve është i lartë, spitalet po mbushen, numri i të shtruarve dhe atyre që po humbasin betejën me virusin po rritet. Analizat tregojnë vdekshmëri të lartë te njerëzit e pavaksinuar, vaksina aktualisht është arma më e fuqishme në luftën kundër virusit. Të gjitha vaksinat janë të sigurta, të gjitha vaksinat që kemi janë miratuar vetëm nëse kanë kaluar me sukses të gjitha fazat e provave klinike. Nuk ka dyshim se antitrupat mbrojnë për një periudhë kohore. Por imuniteti i vaksinave është më efektiv. Qytetarët duhet të fitojnë imunitet afatgjatë dhe të mbrojnë sistemin shëndetësor. Imuniteti i përhershëm është vetëm imuniteti që fitohet nga vaksina.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Protestat kundër vaksinimit, Zaev: E drejtë kushtetuese, si e drejta për jetën
 
Problematike për një imunizim të suksesshëm, janë lajmet e rreme që përhapen në rrjetet sociale. Qeveria është e vendosur t’i parandalojë të njëjtat. 
 
“Protesta është një e drejtë e garantuar me Kushtetutë, por po njësoj edhe e drejtë për shëndetin... Lidhur me dezinformimin anti-vaksinë, ne theksojmë nevojën për informacion të saktë në lidhje me vaksinimin. Të gjithë duhet të kuptojmë se vaksinat janë shpëtimi i vetëm nga format e rënda të sëmundjes. Vala e re dhe lloji i ri “Delta”, konfirmojnë se masa më thelbësore është imunizimi masiv. Mbi 1 milion doza janë dhënë pa komplikime ose efekte anësore më serioze, e ato janë dëshmi të pakundërshtueshme të sigurisë së vaksinave. Është përgjegjësi e Qeverisë të mbrojë njerëzit dhe të marrë masa të reja.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
 
Të martën sërish do të mblidhet Komisioni për Sëmundje Infektive për të diskutuar rreth masave dhe situatës. Zaev dhe Filipçe apeluan që të vaksinohen edhe të rinjtë, ku vërehet një përqindje e lartë e të pavaksinuarve. Deri më tani, në vend janë aplikuar1,600,000 vaksina.


REJHANE BUSHI METAJ