Maqedoni

Tejkalohet problemi, nis dhënia e letërnjoftimeve me emrin e ri

23.08.2021 15:45

400 letërnjoftimet e para me emrin e ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut...

400 letërnjoftimet e para me emrin e ri kushtetues Republika e Maqedonisë së Veriut ishin në dispozicion për qytetarët të cilët me muaj nuk mund të tërhiqnin ato si pasojë e mosmiratimit të Ligjit për Letërnjoftime.
 
Kamera e TVM2 ishte para sporteleve të MPB-së. Ata që kishin marrë SMS porosi në telefonat celularë se letërnjoftimet e tyre janë gati, erdhën e i morën, kishte edhe nga ata që kishin ardhur vetëm pasi kishin dëgjuar njoftimin në lajme.
 
“Jam fotografuar më 12 korrik, d.m.th. kam aplikuar muaj më parë. Erdha sot ta marr por më thanë që të vija të premten, s’kam marrë ndonjë porosi, por dëgjova në lajme se letërnjoftimet do të jenë gati.”,- tha një qytetare.
 
Shtypja dhe lëshimi i letërnjoftimeve u zhbllokua pasi Qeveria miratoi një akt nënligjor. Teksa për opozitën, rregullimi i kësaj çështjeje me akt nënligjor është shkelje e Kushtetutës dhe ligjeve, kryeministri Zaev thekson se lëshimi i letërnjoftimeve pa ndryshime ligjore është plotësisht i ligjshëm fal kreativiteti të shërbimeve juridike në MPB.
 
“Në kushte kur nuk miratohet Ligji për Letërnjoftime vlen ligji i vjetër. Kreativiteti i shërbimeve juridike të MPB-së së bashku me legjislativin konfirmuan se Ligji për përdorimin e gjuhëve është bazë e mjaftueshme. Bazuar në nenin 13, 14 dhe 23 nga Ligji për Përdorimin e Gjuhëve dhe Kushtetuta, u gjet formulimi juridik.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev.
 
Si pasojë e bllokadës së Ligjit të ri nga ana e partisë e Majta në Kuvend , mbi 41 mijë qytetarë mbeten pa letërnjoftime të vlefshme edhe pse i kishin kryer të gjitha procedurat për marrjen e tyre. 
 
ZEKIRJA MEXHITI