Maqedoni

Tetovë, 120 të hospitalizuar, një viktimë në 24 orë

23.08.2021 16:37

Gjendja me Covid-19 në Tetovë është kritike, thonë nga Qendra Covid...

1855 raste aktive, prej të cilëve 120 të hospitalizuar dhe 1 i vdekur është bilanci i 24 orëve të fundit. 
 
Gjendjes së renduar, mëngjesin e së hënës iu shtua edhe një informacion se një qytetar ende i paidentifikuar ka dashur që të prishë gypin kryesor të oksigjenit që aktualisht furnizon me terapi oksigjeni 120 pacientët Covid. Nga Spitali i Tetovës thonë se nëse një gjë e tillë do kishte ndodhur, pacientëve do t’u ishte ndërprerë gypi kryesor i oksigjenit.
 
“Person i paidentifikuar ka bërë dëmtimin e gypit jo kryesor të furnizimit me oksigjen të spitalit, por fatmirësisht nuk e ka dëmtuar gypin kryesor qe furnizon me oksigjen 120 pacientë që i kemi të shtrirë në spital. Sikur të kishte ndodhur do të ishte një katastrofë e madhe, nëse do u dëmtonte ai kryesori.”,- deklaroi Gëzim Nuredini nga Qendra Covid.
 
Dëmtohen gypat e spitalit, SPB-Tetovë: Nuk ishin gypat e oksigjenit, por të objektit të ri
 
Nga  SPB - Tetovë pranojnë se ka pasur dëmtim në gypat pranë spitalit, por thonë se bëhet fjalë për dy gypa tjerë që furnizojnë sallat e operacionit tek objekti i ri që ende nuk janë në funksion, e jo me gypat e oksigjenit për spitalin Kovid. Menjëherë pas denoncimit, një ekip i SPB-Tetovë, në koordinim me Prokurorin Publik, ka kryer ekspertizë të plotë. 
 
Pas kësaj ngjarjeje, Spitali i Tetovës kërkon ndihmë nga Polica dhe ushtria në ditët ne vazhdim të mbikëqyrin spitalin 24 orë. Ndërkaq, në mbledhjen e Shtabit i Krizës në Tetovë u kërkua rritja e pikave të vaksinimit edhe në komunat rurale, për të evituar grumbullimet nëpër pikat ekzistuese.
 
VISAR SADIKI