Maqedoni
Ndërgjegjësimi për vaksinim, i ulët, qytetarët vaksinohen të nxitur nga masat
24.08.2021 12:22
Në shkollën fillore Dituria në Komunës e Sarajit interesimi i qytetarëve për t’u vaksinuar, është tejet i madh....

Banorët e Sarajit kanë ardhur për të marrë vaksinën anti Kovid në pikën e re të vaksinimit. Por, shumë prej tyre thonë se vaksinën e marrin për shkak të masave anti-Kovid, janë të revoltuar edhe për rrëmujën në këtë pikë vaksinimi. Ka edhe të tillë që vaksinohen nga frika e infektimit.
“Nuk dua ta marr, ma kanë vendosur si kusht.”,- tha një qytetar.
“Nuk lenë në ambulancë, në market, kusht të vendosin, nuk di unë. Si mundet një shtet ta kryqëzojë popullin e vet, nuk është zgjidhje kjo.”,- theksoi një qytetar.
“Për shkak masave që janë marrë nga shteti edhe nuk duam që të kemi probleme. Gjithashtu pritet që në shtator të jetë numri i të infektuarve më i madh ashtu, siç kanë lajmëruar mjekët.”,- u shpreh një qytetar.
“Kam ardhur nga ora 7 e 10, rrëmujë e madhe, nuk di çfarë rendi është këtu. Normal për shkak të numrit të infektimit të madh.”,- deklaroi një qytetar.
“Ne këto vaksina duhet t’i marrim nga zori, për shkak se e kanë bërë të domosdoshme, edhe ne duhet të respektojmë ligjin.”,- theksoi një qytetar.
Po vaksinohen edhe mësimdhënësit, tani që u vendos që viti shkollor të nisë me prani fizike.
“Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve, prandaj kemi ardhur këtu. Përndryshe edhe unë jam arsimtar në këtë shkollë.”,- deklaroi një mësimdhënës.
“Me vonesë kanë filluar. 1 orë kemi pritur, orari ka qenë prej orës 9, ndërsa këta kanë ardhur prej orës 10. Unë punoj në arsim dhe tani jemi të obliguar për arsye se punoj me nxënës, nuk është në rregull të punosh me nxënës dhe mos të jesh i vaksinuar.”,- tha një mësimdhënës.
Ministria e Shëndetësisë njofton se gjatë 24 orëve të fundit janë vaksinuar 14.712 qytetarë, 13.108 prej të cilëve kanë pranuar dozën e parë, janë rivaksinuar 503.401 qytetarë. Numri i të vaksinuarve në vend arrin aktualisht në 674.510.
REJHANE BUSHI METAJ
