Botë

Shtohet trysnia ndaj Bidenit, G7 kërkon zgjatje të operacionit të evakuimit

24.08.2021 13:49

Thirrjet për zgjatjen e operacionit të evakuimit nga Kabuli, përtej afatit të përcaktuar të 31 gushtit, dominuan samitin e G7-s....

Thirrjet për zgjatjen e operacionit të evakuimit nga Kabuli, përtej afatit të përcaktuar të 31 gushtit, dominuan samitin e G7-s. Trupat amerikanë, duhet të largohen në fund të muajit, por presidenti Joe Biden, përballet më trysni në rritje për t’i lejuar atje më gjatë. 48 mijë shtetas të huaj dhe bashkëpunëtorë afganë të koalicionit të udhëhequr nga SHBA janë larguar deri më tani nga vendi, shumë të tjerë janë ende në pritje.
 
“Ne besojmë se kemi kohë deri në 31 gusht për të larguar çdo amerikan që do të iki prej andej.”,- tha këshilltari i sigurisë, Jake Sullivan.
 
Por, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe kërkojë më shumë kohë për të kompletuar evakuimin.
 
“Jemi të shqetësuar për afatin e vendosur nga SHBA në 31 gusht. Na duhet më shumë kohë për të përfunduar operacionin.”,- theksoi ministri i jashtëm i Francës, Jean Yvesle Drian.
 
“Ka diskutime në SHBA, nëse do të jetë ose jo e mundur të evakuohen të gjithë qytetarët në kohën e mbetur.”,- u shpreh ministri i jashtëm gjerman, Heiko Maas.
 
Biden duhet të bëjë llogaritë edhe me ultimatumin e talebanëve për të ikur në 31 gusht.
 
“Ata pranuan t’i tërhiqnin forcat deri në 1 maj, por e shkelën afatin. Më pas njoftuan se do të ikin në 31 gusht. Duhet t’i përmbahet njoftimit, pasi përndryshe do të ishte shkelje e qartë. Lidershipi ynë do të vendosë se si do të reagojë në këtë rast.”,- deklaroi zëdhënësi i talebanëve, Suhail Shaheen.
 
Gjendja në Afganistan, shton frikën për shtimin e emigrantëve. Para 6 vitesh, Europa u përball me një valë prej 1.2 milion emigrantësh dhe i druhet një krize të re. Shumë shtete e kanë bërë të qartë se nuk duan më shumë emigrant e se Europa nuk mund të marrë përsipër pasojat e situatës aktuale e vetme. Turqia Greqia dhe Polonia, po ndërtojnë gardhe në kufi për të mbajtur larg afganët. Maqedonia e Veriut ka hapur dyert për ta. Njëjtë vepruan edhe Shqipëria e Kosova. 
 
FARIJE DAUTI BAKIJU