Maqedoni
Ende ka mungesë regjistruesish, Selami optimist se numrat do të plotësohen në kohë
24.08.2021 14:49
Kur kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në fillimin e procesit të regjistrimit të popullsisë...

Kur kanë mbetur vetëm edhe disa ditë deri në fillimin e procesit të regjistrimit të popullsisë, Enti Shtetëror i Statistikave ende nuk i ka siguruar regjistruesit e nevojshëm. Megjithatë, zëvendësdrejtori i këtij institucioni, Ilmi Selami, është optimist se deri më 5 shtator, kur edhe pritet të fillojë procesi të gjitha pengesat do të tejkalohen. ESHS kishte planifikuar një numër prej 6000 regjistruesve, por problematik është fakti se edhe pse me vazhdimin e konkursit ky numër është plotësuar, ata që kanë aplikuar nuk janë paraqitur në testim.
“Deri në momentin kur flasim tani, regjistruesit ende nuk i kemi ekipuar deri në fund dhe me sa shoh nga paraqitjet nga aplikimet nga ana e qytetarëve të interesuar japë shpresë se numri, megjithatë do të arrihet, me qëllim që të startojmë në mënyrë të suksesshme mbajtjen e regjistrimit. Ajo që na u paraqit si problem dëshiroj ta theksoj ne edhe në fazën e parë kur bëmë testimin e regjistruesve që ishin paraqitur deri para një jave, një numër i tyre nuk janë paraqitur në testim, që ne realisht na bëri problem dhe tani jemi të detyruar ta bëjmë edhe një testim të dytin.”,- tha zëvendësdrejtori i ESHS-së, Ilmi Selami.
Vazhdon regjistrimi i diasporës, Selami: Janë regjistruar 190 570 mërgimtarë
Deri më 30 shtator është i hapur edhe regjistrimi i diasporës dhe numri i të regjistruar deri më tani është i kënaqshëm.
“Ju e dini se procesi i regjistrimit në diasporë ka filluar më 1 mars dhe do të zgjasë deri më 30 shtator. Ata munden ende të regjistrohen dhe këtë edhe po e bëjnë, numri i të regjistruar në diasporë po rritet dita ditës deri më tani numri ka mbërritur 190 570. Shpresojmë që ky numër do të rritet akoma.”,- theksoi zëvendësdrejtori i ESHS-së, Ilmi Selami.
Pengesa e procesit të regjistrimit, Selami: Është vepër e dënueshme nga ligji
Selami për TVM2 pohon se aspektet tjera të përgatitjeve kanë mbaruar dhe ESHS është e kompletuar për ta filluar regjistrimin. Regjistrimi do të jetë i detyrueshëm, prandaj Selami apeloi deri tek qytetarët që të bashkëpunojnë me regjistruesit përkujton se pengimi i këtij procesi, përbën vepër penale e si e tillë ka edhe dënime.
“Për çdo mospranim në bazë të ligjit gjithmonë flas për regjistrim të popullsisë dhe banesave të vitit 2021, ekziston një nen rregullon këtë kundërvajtje ligjore dhe për këtë kundërvajtje dënimet janë 200 deri më 300 euro për çdo qytetar i cili nuk do të hapë derën për regjistruesit.”,- tha zëvendësdrejtori i ESHS-së, Ilmi Selami.
Selami sqaron se regjistrimi i popullsive dhe amvisërive do të realizohet në përputhshmëri me të gjitha protokollet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë dhe të miratuara nga ana e Qeverisë, ku janë paraparë veshje të posaçme, dezinfektues, mbajtja e distancës etj.
FITIM KRYEZIU
