Maqedoni

Zgjedhjet lokale, analizohen kandidatët, partitë nisin aktivitetet

24.08.2021 15:44

Partitë politike kanë filluar para kohe “gjahun” pas votave edhe pse fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale...

Partitë politike kanë filluar para kohe “gjahun” pas votave edhe pse fushata zgjedhore për zgjedhjet lokale do më shumë se një muaj që të fillojë.  LSDM është drejt finalizimit të listës së plotë të kandidatëve.
 
Nga opozitarja VMRO-DPMNE thonë se akoma bëjnë anketime dhe shumë shpejt do të njoftohen emrat e të gjithë kandidatëve, përfshirë për qytetin e Shkupit. Por, teksa Lokalet ende nuk kanë nisur, VMRO kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare në pranverë. 
 
“Nëse fitojmë në zgjedhjet lokale, puna e parë e cila do të bëjnë është  ndryshimi i Qeverisë  në kuadër të këtij kuvendi, një Qeveri e udhëhequr nga VMRO-DPMNE që do të merret me problemin e pandemisë dhe gjithsesi në pranverë të shkojmë në zgjedhje të parakohshme parlamentare.”,- deklaroi Aleksandër Nikollovski nga VMRO-DPMNE.
 
Edhe partitë e tjera ndërkohë i kanë shpallur disa prej kandidaturave të sigurta. BDI ka bërë publike emrat me të cilët do të rikandidojë në Çair, Strugë, Dibër, Saraj, Likovë e Kërçovë, bashkë me disa kandidime të reja. ASh ka bërë publike kandidaturat për Gostivarin, Bogovinën, Vrapçishtin, Çairin dhe Strugën. PDSh ka bërë publike kandidaturat për Tetovën, Studeniçanin, Gostivarin, Tearcën etj.
 
Nga Besa gjysmë zyrtare janë kandidaturat për Gostivarin dhe Tetovën. Listat e partive duhet të dorëzohen në KZZ deri më 11 shtator e duhet të vërtetohen deri më 18 shtator. Përveç partive në këto zgjedhje do të ketë edhe kandidime të pavarura për kryetar komunash.
 
Tashmë firmat e nevojshme për kandidim në Kërçovë i ka mbledhur Fatmir Limani bashkë me firmat për listën e këshilltarëve. Mbledhin nënshkrimet edhe kandidatja e pavarur për Qytetin e Shkupit, për Karposhin, Manastirin, Makedonska Kamenicën, Ohrin,  Shën Nikollën dhe Vinicën.
 
Në zyrat rajonale të KSHZ-së janë dorëzuar nënshkrimet edhe për 4 listat e këshilltarëve të pavarur, për komunën Qendër, Kavadar, Rosoman dhe Koçan. Vazhdon mbledhja e nënshkrimeve edhe për listat e tjera të pavarura të këshilltarëve për qytetin e Shkupit dhe për komunën e Tetovës, Kumanovës, Velesit, Gazi Babës,  Mogillës, Vinicës, Ceshinovë- Obleshevë, për dy lista të pavarura në Ohër dhe po për dy lista në komunën e Karposhit. 
 
ZEKIRJA MEXHITI