Maqedoni

Tetovë, 6 viktima nga Covid-19, më i riu 21 vjeçar

25.08.2021 15:11

Gjatë 24 orëve të fundit Covid-19 mori jetën e 6 personave në Tetovë, më i riu prej të cilëve 21 vjeç...

Gjatë 24 orëve të fundit Covid-19 mori jetën e 6 personave në Tetovë, më i riu prej të cilëve 21 vjeç. Mjeku Gëzim Nuredini tha se pacienti që ndërroi jetë në moshë të re ishte i hospitalizuar që nga data 15 gusht, në gjendje të rëndë shëndetësore. Për momentin në qendrën Covid ka 123 pacientë të hospitalizuar, të gjithë me terapi oksigjeni dhe gjendje të rëndë shëndetësore. Situata sa vjen e përkeqësohet.
 
“Ende situata është kritike, numri i pacientëve të hospitalizuar është 123 pacientë, ndërkohë brenda 24 orëve të fundit kemi pranuar 17 pacientë, prej tyre 6 të vdekur dhe një i moshës 21 vjeçare. Në kontrollet ambulantore ende kemi numër të madh të pacientëve, numri i madh tek ambulancat Covid tregon se ende ka qytetarë të infektuar me Covid-19, të cilët vijnë dhe kërkojnë ndihmë në spitalin tonë.”,- tha Gëzim Nuredini nga Qendra Covid - Tetovë.
 
Nuredini bënë apel deri tek të gjithë të rinjtë që të vijnë e kontrollohen nëse kanë sado pak simptoma, pasi, sipas tij, Covidi nuk pyet moshë.
 
“Me këtë si lajm duhet të dinë të gjithë qytetarët,edhe ju se virusi kaplon, moshën më të re që e themi çdo ditë dhe ka mjaft pacientë që janë të moshës së re, të cilët i kanë këto simptoma të lehta nuk paraqiten e nuk testohen, shumica e tyre as që izolohen. Unë para një jave thashë se çdo shtëpi ka një të infektuar.”,- theksoi Gëzim Nuredini nga Qendra Covid - Tetovë.
 
Mjekët bëjnë apel për kujdes të shtuar dhe respektimin e protokolleve anti Covid. Ata kërkojnë që qytetarët të mos grumbullohen teksa presin me orë të tëra për të marrë vaksinat, pa respektuar asnjë masë. Apelojnë që vaksinat të merren sa më masovikisht por duke respektuar masat.
 
VISAR SADIKI