Maqedoni
Carovska: Nëse Covid-19 përhapet, gati dy skenarë për mësim
25.08.2021 15:33
Qeveria miratoi planin dhe protokollet për mësimin me prani fizike të nxënësve nga 1 shtatori.....

Qeveria miratoi planin dhe protokollet për mësimin me prani fizike të nxënësve nga 1 shtatori. Dita e parë e mësimit do të nisë me udhëzime për nxënësit se si të ruajnë distancën fizike, të mbajnë higjienën dhe si të kujdesen për shëndetin e tyre, të nxënësve të tjerë dhe stafit të shkollës. Ministrja Carovska ripërsërit se MASh ka gati dy skenarë për mësim nëse vazhdon rritja e infeksioneve nga Covid-19.
“Vitin e kaluar, 40 për qind e nxënësve ishin në klasë me prani fizike dhe nuk kishte asnjë rast të vetëm të transmetimit të brendshëm. Kjo tregon se duke ndjekur protokollet, transmetimi mund të parandalohet. Kishte një proces arsimor të sigurt dhe nuk kishim mbylljen e shkollave të tëra, ndryshe nga vendet e rajonit ku pati ndryshime të vazhdueshme të modeleve dhe mbyllje të vazhdueshme të shkollave. Vitin e kaluar, MASh mblodhi të dhëna në baza ditore nga të gjitha shkollat, sa mësues dhe nxënës janë pozitivë nga ata që mësojnë me prani fizike dhe sa ka mësues dhe nxënës pozitivë që mësojnë online. Ky informacion arrin direkt në Komisionin e Sëmundjeve Infektive dhe ai jep udhëzime.”,- tha ministrja e arsimit, Milla Carovska.
Fillimi i vitit akademik, studentët kërkojnë mësim të kombinuar
Ndërkohë, Asambleja Studentore e Universitetit të Shkupit, kërkon që ligjëratat nga semestri dimëror të kombinohen (online dhe me prezencë fizike).
“Është shumë e vështirë të ndash studentët në të vaksinuar dhe të pavaksinuar, askujt nuk duhet t’i mohohet e drejta për të dëgjuar ligjërata dhe për të marrë provimet bazuar në faktin nëse janë të vaksinuar apo jo. Të gjithë kanë të drejtë të zgjedhin nëse duan të vaksinohen, disa nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore. Prandaj, i bëj apel autoriteteve që të ofrojnë mënyra alternative në të cilat studentët mund të kthehen në fakultete.”,- theksoi presidentja e A.S. NË UKIM, Eva Cvetkovska.
Ata gjithsesi i nxisin masivisht studentët të vaksinohen dhe kërkojnë nga autoritetet të ndihmojnë me pikat e vaksinimit për Universitetin dhe të sigurojnë teste të shpejta. Carovska ripërsëriti se vetë universitetet duhet të sigurohen për respektimin e protokolleve.
GYLTENE SINANI
