Maqedoni
Mariçiç vizitë zyrtare në Kosovë, u nënshkrua marrëveshje për bashkëpunim juridik
25.08.2021 17:57
Qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe ato të Kosovës do të kenë mbrojtje të njëjtë ligjore dhe qasje...

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut dhe ato të Kosovës do të kenë mbrojtje të njëjtë ligjore dhe qasje deri te gjykatat dhe organet tjera juridike. Këtë e garanton marrëveshja për bashkëpunim juridik ndërkombëtar, të cilën e nënshkruan ministri i drejtësisë, Bojan Mariçiç, me homologen e tij, Albulena Haxhiu, në Prishtinë.
“Nisma për nënshkrimin e marrëveshjes, më së miri flet për politikat të cilat i udhëheqim me çka lehtësojmë qasjen deri te drejtësia dhe i thjeshtësojmë procedurat gjyqësore për qytetarët e të dyja vendeve.”,- tha ministri i drejtësisë i RMV-së, Bojan Mariçiç.
“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është të thellojë më tej bashkëpunimin në fushën e ndihmës juridike në çështjet civile midis dy vendeve dhe të lehtësojë procedurat ligjore në këtë fushë.”,- u shpreh ministrja e drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Të pyetur se a është diskutuar mundësia për ekstradimin e të burgosurve të “grupit të Kumanovës” në Kosovë, ministrat e dy vendeve thanë se për këtë do të presin vendimin e Gjykatës Supreme dhe pastaj do të veprojnë në përputhje me ligjin.
“Presim që gjykata supreme të marrë vendimin në raport me këtë çështje pastaj të veprojmë në përputhje me kërkesat e qytetarëve të cilët janë duke e vuajtur dënimin, por edhe në bashkëpunim me ministrin e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut.”,- theksoi ministrja e drejtësisë e Kosovës, Albulena Haxhiu.
Mariçiç dhe Haxhiu u treguan të gatshëm për bashkëpunim edhe në të ardhmen.
ERSAN PAJAZITI
