Maqedoni

Sërish vaksinim në sallën “Boris Trajkovski”, Filipçe: Po rritet interesimi për vaksinim

26.08.2021 14:57

Në sallën e vogël “Boris Trajkovski” në Shkup sërish ka filluar vaksinimi anti Kovid....

Në sallën e vogël “Boris Trajkovski” në Shkup sërish ka filluar vaksinimi anti Kovid. Një vendim i këtillë erdhi pas rritjes së dukshme të interesimit të qytetarëve për t`u vaksinuar, sidomos pas hyrjes në fuqi të masave të reja, por edhe pas rritjes enorme të infektimeve të reja me COVID-19. Situata më e rëndë me kapacitete spitalore është në qytetin e Tetovës dhe Gostivarit, por edhe Kërçovës dhe Strugës, theksoi ministri Venko Filipçe. Ai tha se numrat e fundit të personave të infektuar janë inkurajues, por ende është herët për të bërë një vlerësim të tillë.
 
“Deri më tani gati 700,000 qytetarë janë vaksinuar. Interesimi për vaksinimin e të rinjve, nga 18 deri në 40 vjeç, po rritet ndjeshëm. Inkurajojnë numrat e ri të të diagnostikuarve, në kuptim të asaj se po bien, e kam patjetër të them se vlerësoj se është shumë herët të thuhet se kjo është një lloj trendi ose shkon në drejtim, në krahasim me dy valët e kaluara, ky është diçka më i shpejtë. Po e përcjellim situatën me vëmendje, po analizohen të gjitha parametrat.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Ministri Filipçe ka apeluar për vaksinim masiv, sidomos të prindërve, fëmijët e të cilëve tani nisin shkollën me prezencë fizike. Gjithashtu qeveria po shqyrton futjen e testeve të shpejta për fëmijët në shkolla, të udhëhequra nga përvojat e vendeve të tjera.
 
“Më lejoni të apeloj sërish për vaksinim masiv, në veçanti prindërit, fëmijët e të cilëve tani do të nisin të shkojnë në shkollë dhe çerdhe. Tani për tani nuk rekomandohen masa shtesë, por ne mund të bëjmë rekomandime të tjera sipas asaj se si po shkon fotografia me pandeminë.”,- tha ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
 
Zaev: Nuk po diskutohet mundësia e karantinimit
 
Edhe kryeministri, Zoran Zaev, tha se tani për tani nuk bisedohet për karantina ose për kufizime të veçanta për shkak të gjendjes aktuale epidemiologjike në vend. Lidhur me rritjen e numrit të rasteve me Covid, veçanërisht në Tetovë dhe Gostivar, Zaev tha se bëhet fjalë kryesisht për qytetarë me sëmundje kronike. 
 
“Nuk po diskutohet për karantinime dhe masa tjera shtesë në nivel lokal. Mirë është që në qytetet më të goditura shifrat e infektimeve fillojnë të bien dhe shpresojmë se do të shënojnë rënie edhe ditëve në vijim. Nuk dua të flas më hollësisht nga ajo që ministri i shëndetësisë dhe komisioni e thonë, por unë, si kryeministër që kam për detyrë të monitoroj parametrat, do të thosha se është mirë që ditët e fundit numrat po stabilizohen në Tetovë dhe Gostivar. Kjo do të thotë se forca e virusit po zvogëlohet, masat ndoshta japin rezultate dhe qytetarët janë më të kujdesshëm.”,- theksoi kryeministri i RMV-së, Zoran Zaev. 
 
Edhe mjekët apelojnë që qytetarët të vaksinohen sepse vetëm në këtë mënyrë mund t’i japim fund pandemisë.
 
“Nga ora 8 e mëngjesit ka filluar vaksinimi në sallën e vogël të “Boris Trajkovskit”. Për qytetarët në dispozicion janë vaksinat “Fajzer”, “Sinofarm” dhe “Astra Zeneka”. Јu bëj thirrje të gjithë qytetarëve që të vijnë dhe të marrin vaksinën anti-Covid.”,- u shpreh një mjeke.
 
Gjithashtu edhe qytetarët të cilët vaksinohen thonë se mund të mbrohemi nga virusi nëse vaksinohemi dhe nëse respektojmë masat anti-Covid. 
 
“Kam pranuar dozën e parë “Fajzer” dhe apeli im është që të vaksinohet sa më shumë qytetarë, se vetëm në këtë mënyrë mund të mbrojmë vetveten dhe të tjerët rreth nesh.”,- theksoi një qytetar.
 
“Kam pranuar vaksinën “Fajzer” edhe pse kam qenë e infektuar me virusin Korona, nuk kam frikë, kështu që ne duhet të mbrohemi dhe vendosa të vaksinohem.”,- tha një qytetar.
 
Dozën e parë të vaksinës të mërkurën e kanë marrë 9,123 qytetarë, nga gjithsej 13,303 qytetarë të vaksinuar.
 
REJHAN BUSHI METAJ