Maqedoni

MPJ dhe MPB: Dokumente për diasporën në ambasada

26.08.2021 15:24

Për ta lehtësuar furnizimin e diasporës me dokumente të udhëtimit në përfaqësitë konsulore dhe diplomatike....

Për ta lehtësuar furnizimin e diasporës me dokumente të udhëtimit në përfaqësitë konsulore dhe diplomatike, janë instaluar stacione të posaçme për këtë çështje. Ministri i jashtëm, Bujar Osmani, dhe ai brendshëm, Oliver Spasovski, sqaruan se në çdo përfaqësi diplomatiko-konsulare, do të ketë stacione të tilla të cilat do të punojnë çdo ditë pune. 
 
“Deri më tani kemi funksionuar në sistem të tillë që një herë në vit apo dy  diplomatë nga MPJ-ja, bashkë me pajisje nga Shkupi, janë nisur në  ndonjë përfaqësi konsulore dhe në ato dy tre ditë kanë qëndruar atje. Pastaj të presin ekipi të kthehet në Shkup t’i përpunojë dokumentet dhe prapë të kthehen. Ajo çfarë promovojmë tani është se në çdo përfaqësi diplomatike konsulore do të kemi stacione bazë, mobile dhe çdo ditë e punë do të ketë mundësi që qytetarët të nxjerrin dokumentet e udhëtimit, ashtu siç e bëjnë qytetarët tanë që jetojnë në RMV.”,- deklaroi ministri i jashtëm, Bujar Osmani.
 
“Kemi në përgjithësi 15 stacione bazë, prej të cilave 9 janë fikse, ndërsa 6 mobile, që domethënë në 15 përfaqësi diplomatike konsulore do të instalohen dhe ato prioritete i përcakton MPJ në harmoni me nevojat dhe numrin e qytetarëve që jetojnë në ato shtete. Kjo, për herë të parë që nga pavarësia, qytetarët tanë që jetojnë jashtë do të kenë shërbime të njëjta me ata që jetojnë këtu në dhënien e dokumenteve personale.”,- tha ministri i brendshëm, Oliver Spasovski. 
 
Spasovski njëherit bëri të ditur se organet hetuese kanë zgjeruar hetimin për 215 pasaportat e rreme, me të cilat janë pajisur kryesisht kriminelë nga rajoni.
 
“Një pjesë e hetimit ka mbaruar, tashmë kemi të arrestuar dhe aktgjykim të shkallës së parë. Hetimi është zgjeruar, po punohet… do të them në pjesën e dytë të hetimit, në zgjerimin. Çdokush, pa marrë parasysh a është në një nivel apo tjetrin pranë Ministrisë ë Punëve të Brendshme, apo nëpër institucione tjera, gjithsesi se do të ketë përgjegjësi.”,- theksoi ministri i brendshëm, Oliver Spasovski.
 
Deri në tani, gjithsej shtatë persona kanë pranuar se janë fajtor, dhe për ta ka aktgjykim të shkallës së parë. Sipas hetimit të policisë, pasaportë e rreme në tregun joligjor kushtonte deri në 20 mijë euro. Spasovski u përgjigj edhe për  ecurinë e  dhënies së  tabelave të regjistrimit të automjeteve. Tha se qytetarët po marrin tanimë tabela të regjistrimit me shenjën e re, siç parasheh marrëveshja e Prespës. Edhe për letërnjoftimet tha se procesi po  rrjedh normal, ndërsa sipas tij, janë shtypur mbi 13 mijë letërnjoftime dhe beson se procesi  për  ata qytetarë që janë në pritje  të mbarojë pas dy javëve.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU