Maqedoni
Ekzekutivi ende nuk e din numrin e refugjatëve afganë
26.08.2021 16:08
Shtetasit afganë që do të strehohen në Maqedoninë e Veriut, do të kenë fillimisht statusin e qëndrimit të përkohshëm prej 90 ditësh...

Shtetasit afganë që do të strehohen në Maqedoninë e Veriut, do të kenë fillimisht statusin e qëndrimit të përkohshëm prej 90 ditësh. Poashtu një pjesë të madhe të shpenzimeve për strehim dhe ushqim dhe mbështetjen logjistike do ta bëjnë organizatat ndërkombëtare të regjistruara në Shkup. Por, sa do të jetë numri i tyre që do të strehohen këtu dhe kur do të arrijnë afganët e parë, ende nuk dihet me saktësi.
“Unë fillimisht besoj se në vendin tonë do të arrijnë qytetarët afganë të cilët janë humanë, aktivistë për të drejtat e njeriut, gazetarë, përkthyes, gra dhe fëmijë. Askush nuk mund të tregojë numrin e saktë të refugjatëve të cilët do të vijnë tek ne, sepse shifrat ndryshojnë nga dita në ditë. Edhe ata 650 dhe 750 afganë që ishin më herët të konfirmuara se do të vijnë, nga dita e djeshme kanë anuluar ardhjen e tyre, sepse kanë shkuar në destinacion tjetër.”,- deklaroi kryeministri, Zoran Zaev.
Shefi i diplomacisë, Bujar Osmani, siguron se numri i refugjatëve përcaktohet në bazë të mundësive reale që ka vendi dhe në asnjë mënyrë nuk do të lejohet të pranohen më shumë refugjatë se sa vendi mund të strehojë.
“Numri i afganëve që do të strehohen këtu aktualisht është 750. Për momentin nuk mund të them nëse ky numër do të rritet ose jo në 800, ose a do të mbërrijnë një pjesë e afganëve që kishin konfirmuar. Shifrat janë të lëvizshme, mirëpo gjithmonë këto shifra janë në kuadër të mundësive që Qeveria i vlerëson se ne mundimi përkohësisht t’i strehojmë ata njerëz.”,- tha ministri i punëve të jashtme, Bujar Osmani.
Numri “një” i MPB-së, Oliver Spasovski, premton se në mesin e afganëve nuk do të vijnë edhe radikalist ose persona problematikë që mund të jenë rrezik për vendin. Thotë se MPB së bashku me partnerët ndërkombëtare është duke e kontrolluar identitetin e çdokujt prej tyre që ka shprehur dëshirë të shkel këtë vend dhe garanton siguri të lartë për qytetarëve e këtij vendi.
“Civilët afganë të cilët duhet të mbërrijnë janë ata të cilët kanë punuar në organizatat ndërkombëtare, organizatat e partnerëve të NATO-së të cilët bashkërisht edhe me Armatën e RMV-së punuan në Kabul dhe bazat tjera ushtarake. Janë civil nuk janë radikal ose persona që mund të shkaktojnë probleme. Megjithatë ne si MPB po ndërmarrim të gjitha masat e konfirmimit të identitetit të tyre dhe po punojmë fuqishëm për sigurinë e qytetarëve tanë të jetë në nivel sa më të lartë.”,- tha ministri i punëve të brendshme, Oliver Spasovski.
Sipas paralajmërimeve refugjatët afganë do të strehohen në disa hotele në periferi të Shkupit, ndërsa pas ardhjes dhe kontrollimit të tyre, më vonë do të vlerësohet se në cilat zona ata do të kenë lëvizje të lirë ose të kufizuar.
REXHEP QAMILI
