Maqedoni

Ministria e Shëndetësisë sqarim rreth rastit të ndërrimit të kufomave

26.08.2021 16:24

Ministria e Shëndetësisë ka dalë me sqarim lidhur me rastin e ngatërrimit të kufomave në rastin e gruas nga Vrapçishti...

Ministria e Shëndetësisë ka dalë me sqarim lidhur me rastin e ngatërrimit të kufomave në rastin e gruas nga Vrapçishti, ku familjarët, në vend të trupit të saj, në arkivol gjetën trupin e një mashkulli. Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se Klinika nuk ka bërë gabim dhe se barra për transportin e kufomave bie mbi morgun – ndërmarrjet për transportin e kufomave.
 
“E informojmë opinionin se asnjë institucion shëndetësor në shtet, as Klinika Infektive nuk ka bërë gabim të tillë. Të gjitha spitalet dhe qendrat Kovid në tërësi i respektojnë protokollet për veprim ndaj trupave të të vdekurve në kushte spitalore, të dyshuar ose të vërtetuar me Kovid-19. Pas vdekjes dhe përgatitjes së trupit në përputhje me protokollet për mbrojtje nga Kovid-19, menjëherë thirret ndërmarrja komunale publike e komunës apo shërbimi i varrimit – Butel për Qytetin e Shkupit të cilëve u dorëzohet trupi. Ndërmarrjet e varrimit dhe jo spitalet i dorëzojnë trupat te familjet dhe e organizojnë varrimin”, thanë nga MSh.
 
Ndërkohë, familjarët e gruas së ndjerë, arkivolin me trupin e të ndjerës e kanë gjetur në morgun e Gostivarit, ku është sjellë nga Klinika Infektive.