Maqedoni

Tetovë, 121 persona në terapi-oksigjeni

26.08.2021 16:34

Situata me Covid-19 vazhdon të jetë kritike në Tetovë....

Situata me Covid-19 vazhdon të jetë kritike në Tetovë. Gjatë 24 orëve të fundit jetën e kanë humbur 5 pacientë, ndërsa të hospitalizuar janë 121 persona, të gjithë me terapi oksigjeni. Zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani, tha se gjendja në Tetovë është kritike dhe sipas tij nuk duhet që të ketë kufizime shtesë, por duhet respektuar protokollet aktuale anti Covid.
 
“Situata është vërtet në kulminacion, jemi në kufij të kapaciteteve spitalore në rajonin e Pollogut. Ju duhet të dini një gjë se Tetova nuk është jetime dhe në veri të vendit apsorvohen pacientë nga Pollogu. Për momentin kemi 150 shtretër në nivel të shtetit që janë të lirë. Në princip edhe unë mendoj se rëndimi i masave përveç këtyre që i kemi, nuk do të jenë shumë produktive në zvogëlimin e numrave të të infektuarve. E shfrytëzoj mementin që të apeloj dhe të marrim shembullin e një fshati këtu në Tetovë që kishte mbyllur të gjithë kafiteritë. Apeloj që të kufizohen dasmat familjare nëpër shtëpi, pasi edhe aty është një vatër tjetër që po vazhdon dhe apeloj që të mos grumbullohen nëpër shtëpi pasi duhet të ruajmë shëndetin tonë publik.”,- deklaroi zëvendësministri i shëndetësisë, Ilir Hasani.
 
Shtabi i krizës në Tetovë: Të shtyhet viti i ri shkollor
 
Ndërkohë, kryetarja e Shtabit të Krizës në Tetovë, Teuta Arifi, kërkon nga Ministra e Arsimit që për shkak të numrit të madh të infektimeve ta shtynë për tre javë fillimin e vitit shkollor.
 
“Kërkojmë nga Ministria e Arsimit dhe Shtabi i Krizës pranë Qeverisë së RMV-së, shtyrjen e fillimit të vitit shkollor me prezencë fizike për 3 javë, për të gjitha nivelet e arsimit, atë fillor, të mesëm dhe të lartë.”,- u shpreh kryetarja e Shtabit të Krizës, Teuta Arifi.
 
Ndërsa të premten do të hapet punkti i ri për vaksinim te Muzeu i Qytetit ose ish Shtëpia e Armatës, dhe tek ambulanca e fshatit Porroj. Autoritet shëndetësore bëjnë apel që të respektojnë masat anti Covid gjatë pritjes për t’u vaksinuar. Shtabi i Krizës në Tetovë kërkon nga Ministria e Shëndetësisë së RMV-së që të mundësojë realizimin e testeve të shpejta edhe në Shtëpinë e Shëndetit Publik në Tetovë.
 
VISAR SADIKI