Maqedoni

Promovimi i projekteve pas shpalljes së zgjedhjeve, anti-korrupsioni nuk ndjehet kompetent për mendim

26.08.2021 16:54

Zaev me Shilegov në Karposh, e Grubi me Ganiun në Çair...

Zaev me Shilegov në Karposh, e Grubi me Ganiun në Çair. Zyrtarët qeveritarë promovuan projekte infrastrukturore në kohë të shpalljes së zgjedhjeve. Edhe pse neni 8 i Kodit Zgjedhor, në pikën 2 të tij, mes të tjerave sqaron qartë se që nga dita e shpalljes së zgjedhjeve, ndalohet: fillimi i ndërtimit me fonde nga buxheti, fonde publike, fonde të ndërmarrjeve publike ose personave juridikë që kanë kapital shtetëror, për objekte infrastrukturore e shoqërore si në rrugë, ujësjellës, linja transmetimi, kanalizime, fusha sportive, shkolla, kopshte etj, përveç nëse më parë për këtë janë parashikuar fonde nga buxheti. Pikërisht kjo fjalia e fundit keqpërdoret në çdo cikël zgjedhor, pasi autoritetet përcaktojnë fondet para fillimit të zgjedhjeve duke e lënë realizimin e projekteve pikërisht pas shpalljes së zgjedhjeve, për të ndikuar në vendimin e elektoratit.
 
Nga Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit theksojnë se ata nuk kanë kompetenca për të dhënë mendim lidhur me këto çështje. Nga anti-korrupsioni thonë se institucionet duhet vetë të jenë të ndërgjegjshme dhe paraprakisht të bëjnë planifikimin e projekteve në mënyrë që edhe opinion kohën e realizimit të tyre.  
 
“Ka përjashtime në këto ndalesa dhe të gjitha institucionet duhet të dinë t’i vlerësojnë mirë se nëse i kanë planifikuar me kohë dhe nuk bien ndesh me ndalesat duhet të vazhdojnë. Të gjithë ata punë të cilët nuk janë të planifikuara dhe bien ndesh nuk duhet të kryhen në këtë kohë kur janë shpallur zgjedhjet, për arsye e krijojnë dyshime për veprime korruptive dhe krijojnë dyshime për veprime ndikimi ndaj zgjedhësve.”,- tha anëtari në KPK, Nuri Bajrami.
 
Bajrami megjithatë theksoi se në qoftë se ka ankesa nga ana e qytetarëve dhe nëse vërtetohet se ka korrupsion apo konflikt të interesit, atëherë Anti-korrupsioni do të thotë fjalën e saj.  
 
ERSAN PAJAZITI