Maqedoni

Zaev: Regjistrimi do të mbahet

26.08.2021 17:28

Procesi i regjistrimit i cili duhet të fillojë më 5 shtator dhe do të zgjasë deri më 30 shtator....

Procesi i regjistrimit i cili duhet të fillojë më 5 shtator dhe do të zgjasë deri më 30 shtator, patjetër duhet të realizohet, thotë kryeministri, Zoran Zaev. Sipas tij, më në fund pas 20 vitesh vendi mund të realizojë një operacion statistikor që do të nënkuptonte barazi dhe drejtësi në ndarjen e mjeteve dhe të zhvillimit. 
 
“Regjistrim ka dhe patjetër duhet të ketë edhe atë pas 20 vite, a jemi shtet dhe komb apo çka jemi, regjistrim patjetër të duhet të ketë. Kemi thënë lehtësoni gjërat në bazë të bazës për të dhënat, pastaj janë siguruar dhe ndërmarrë të gjitha masat dhe i falënderojmë qytetarët që ditëve të fundit aplikuan dhe u paraqitën. Dhe falë Zotit ekipet e regjistruesve janë ekipuar dhe jam i lumtur që edhe ne si vend po tregojmë gatishmëri për ta realizuar këtë operacion statistikor.”,- tha kryeministri, Zoran Zaev. 
 
VMRO-DPMNE: Po bëhen pazarllëqe me regjistrimin
 
Por, për VMRO-DPMNE-në opozitare kryeministri Zaev dhe Qeveri deri në moment të fundit janë duke bërë pazarllëqe se a kanë regjistrues për ta realizuar këtë operacion, pastaj pazariten se a mos vallë po e rrezikojnë jetën e qytetarëve etj.
 
“Në vetëm 24 orë kemi dy pikëpamje të ndryshme, së pari se EShS dhe qeveria thonë se nuk kishte regjistrues të mjaftueshëm dhe pastaj Zaev del dhe thotë se ka. Amatorizmi me të cilin qeveria kryen të gjithë operacionin rreth regjistrimit tregon se ata po e drejtojnë vendin plotësisht pa mend dhe janë të gatshëm të komprometojnë edhe këtë operacion më të rëndësishëm statistikor siç është regjistrimi. VMRO-DPMNE ofron një zgjidhje. Nëse ka një problem me regjistruesit, i cili është padyshim për shkak të valës së 4 -të të KOVID-19, nga e cila shohim se mbi 1000 njerëz infektohen çdo ditë dhe rreth 20 vdesin, është e nevojshme për të kryer një regjistrim elektronik dhe me këtë dështimi në regjistrim do të parandalohet.”,- u tha në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
 
Edhe përkundër thirrjeve për regjistrim, apo për bojkotim, EShS ka pohuar se afër 8000 regjistrues i kanë në dispozicion dhe regjistrimi duhet të realizohet.  
 
FITIM KRYEZIU