Maqedoni
ITShKSh, u shënua përvjetori i lindjes së Nënë Terezës
26.08.2021 18:09
“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata”, është një ndër shprehjet e shenjtores Nënë Terezë....

“Nëse i gjykoni njerëzit, nuk keni kohë t’i doni ata”, është një ndër shprehjet e shenjtores Nënë Terezë, e cila qëndron në pllakatën e vendosur në sheshin e Shkupit. Të tubuar rreth kësaj pllake në shenjë respekti u shënua përvjetori i lindjes së saj, me çka u mbajt akademi solemne dhe u promovua elaborati i përgatitur nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, për të vënë në mbrojtje të shtetit emrin dhe veprën e Nënë Terezës. Ky elaborat tanimë ndodhet nëpër institucionet shtetërore dhe pritet që i njëjti të inkorporohet në aktet ligjore dhe normative.
“Dita e sotme që ndërlidhet me ditëlindjen e Nënë Terezës mund të na shërbejë si një shkas për të reflektuar dhe të hequr me veprimet tona. Gjithë vëmendjen ndaj kësaj figure kolosale shpresoj që kjo vëmendje tash e tutje do të ketë fokusin e merituar nëpër institucionet shtetërore duke kaluar nga evokimi në materializëm të figurës së Nënë Terezës, përmes një kornize juridike e cila do të shpallet aset shtetëror në mbrojtje të ligjit.”,- tha drejtori i ITShKSh-së, Skender Asani.
Edhe profesori, Anton Nik Berisha, tha se figura e Nënë Terezës ka nevojë për një kujdes më të madh institucional.
“Instituti me elaboratin që e kam në dorë ka dëshmuar një vetëdijesim të lartë për t’u bërë të ditur organeve përkatëse se duhet ta bëjnë pjesë të jetës shoqërore, kulturore dhe politike, sepse Nënë Tereza është simbol i cili i afron kulturat i afron njerëzit, i afron pikëpamjet dhe mundëson një veprimtari të përbashkët që është një bazë e rëndësishme për zhvillimin dhe përparimin e shtetit tonë.”,- u shpreh shkrimtari dhe studiues i letërsisë shqiptare, Anton Nik Berisha.
Elaborati i ITShKSh-së është përgatitur në tre gjuhë, në shqip, maqedonisht dhe anglisht. Përveçse nëpër institucionet shtetërore së shpejti do të dërgohet edhe në zyrat e diplomatëve të huaj. Manifestimi kulturor i quajtur “Drita e Gonxhes” nga ky vit do të jetë tradicional dhe do të manifestohet deri më 5 shtator.
ARMEND MURSELI
