Maqedoni
Masat anti-Covid, ulet ndjeshëm puna në qendrat tregtare
27.08.2021 14:31
Si pasojë e masave të reja anti-Covid, puna nëpër qendra tregtare është ulur ndjeshëm....

Si pasojë e masave të reja anti-Covid, puna nëpër qendra tregtare është ulur ndjeshëm. Qytetarët që TVM2 anketoi në qendrat tregtare në Shkup, thonë se kjo situatë ka ndikuar tepër në gjendjen e bizneseve që nuk kanë më punë si më parë.
“Ka rënë ndjeshëm puna nëpër qendrat tregtare, pasi kemi më shumë njerëz të cilët nuk janë vaksinuar. Momentalisht mendoj se po rritet numri i të vaksinuarve, por gjithsesi se këto masa ndikojnë te bizneset që operojnë nëpër qendra tregtare.”,- tha një qytetar.
“Ja tani nuk e kam me vete vërtetimin që jam i vaksinuar dhe nuk më lanë të hyj brenda dhe po kthehem. Normalisht se kjo ndikon në uljen e punës së qendrave tregtare.”,- theksoi një qytetar.
“Duhej me kohë të bëheshin masa për të parandaluar përhapjes, e jo më tani që është përhapur. Shohim se po bëhet rrëmujë nëpër ambiente të mbyllura.”,- u shpreh një qytetar.
Nëpër ambiente të mbyllura tashmë disa ditë është e obliguar që të gjithë qytetarët të posedojnë certifikatë vaksinimi me së paku një dozë të pranuar. Pikërisht kjo masë ka sjellë uljen e fluksit të blerësve në qendrat e mbyllura.
ERSAN PAJAZITI
