Maqedoni
Tetovë, 6 të vdekur dhe 124 të hospitalizuar në 24 orë
27.08.2021 15:12
Vazhdon e rëndë situata Covid në Tetovë....

Vazhdon e rëndë situata Covid në Tetovë. Në 24 orët e fundit atje u regjistruan 6 fatalitete dhe 124 të hospitalizuar. Mes të hospitalizuarve të rinj, 7 qytetarë ishin të vaksinuar me një dozë, ndërsa 7 të tjerë me të dy dozat e vaksinave. Gjithashtu 124 pacientë janë në terapi oksigjeni, ndërsa 167 janë vizituar në ambulancën ditore. Mjekët apelojnë që pacientët që kanë simptoma të paraqiten menjëherë për trajtim, e të tjerët të respektojnë rreptësisht masat anti-Covid.
Rëndohet situata në Tetovë e Gostivar, Filipçe: Mësim online për shkollat e mesme
Pas përkeqësimit të gjendjes, stërmbushjes së spitaleve e apeleve të krerëve të komunave, Komisioni për Sëmundje Infektive vendosi që shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar mësimin ta fillojnë online.
“Me konsensus është sjellë rekomandimi për shkollat e mesme në rajonin e Pollogut, Tetovë dhe Gostivar, që nga 1 shtatori mësimin ta fillojnë online për dy javë, ndërsa më pas sipas zhvillimit të situatës me pandeminë do të merret vendim tjetër.”,- deklaroi ministri i shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe sqaroi se ky vendim vlen vetëm për shkollat e mesme, pasi bëhet fjalë për një numër të madh të të rinjve të infektuar e mosha e tyre ka më rrezik infektimi gjatë grumbullit në shkolla. KSI vlerëson për momentin se shkollat fillore në këto dy komuna mund të fillojnë të sigurt mësimin me prani fizike.
VISAR SADIKI
