Maqedoni

Viti i ri akademik, universitetet nisin regjistrimin e studentëve

27.08.2021 15:40

Me shpresë se ky vit në sferën edukativo-shkencore do të shkojë për së mbari tanimë pjesa dërmuese e universiteteve....

Me shpresë se ky vit në sferën edukativo-shkencore do të shkojë për së mbari tanimë pjesa dërmuese e universiteteve në vend kanë hapur afatin e parë për regjistrimin e studentëve. Bazuar në gjendjen epidemiologjike në vend dhe respektimin  e masave për mbrojtje nga pandemia Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup ka sjellë vendim që ligjëratat kryesisht të mbahen të kombinuara,me prezencë fizike dhe online, përveç fakulteteve shkencore dhe teknike ku prezenca fizike është e domosdoshme. 
 
“Në këtë moment nuk mund të kërkojmë në mënyrë strikte të sjellin certifikatë që janë të vaksinuar, kur kjo nuk ishte një kërkesë e parashtruar muaj më parë. Kështu që mendoj se në këtë moment më mirë është ti praktikojmë protokollet të cilat veç më janë sjellë për mënyrën se si do të veprohet gjatë ligjëratave me prezencë fizike. Gjithashtu është parashtruar kërkesë në qeveri për hapjen e një punkti për vaksinim të të gjithë studentëve dhe stafit akademik që të kenë mundësi të vaksinohen para fillimit të vitit.”,- tha rektori i USHCM-së, Nikolla Jankullovski.
 
Universiteti “Nënë Tereza” në Shkup që nga 25 gushti ka hapur afatin për regjistrime, ku aplikantët do të kenë mundësi të përzgjedhin pesë fakultete dhe 28 programe që i ofron ky universitet,ndërsa i njëjti përfundon më 30 gusht,ditën e hënë. Po më 30 gusht hapet konkursi për pranimin e studentëve të rinj në UShT ku aplikantët e interesuar do të kenë mundësinë të përzgjedhin studimet në 13 fakultetet dhe 64 programet studimore të ofruara.
 
LEUNORA KALIQI