Maqedoni
Zgjedhjet lokale, partitë drejt finalizimit të kandidaturave
27.08.2021 17:11
Teksa afron data e dorëzimit të kandidaturave në KSHZ, edhe partitë po përmbyllin listat e kandidatëve.....

Teksa afron data e dorëzimit të kandidaturave në KSHZ, edhe partitë po përmbyllin listat e kandidatëve. BDI përfundimisht do të konfirmojë të gjitha kandidaturat në kuvendin e përgjithshëm që do ta mbajë në Gostivar më 4 shtator.
“Më 4 shtator në Gostivar, BDI do të mbajë këshillin e përgjithshëm ku do t’i konfirmojë kandidaturat për kryetarë të komunave dhe sipas sondazheve tona nga 18 komuna ku ne do të garojmë, 16 absolutisht i fitojmë pa asnjë dyshim, dy ku mund të hymë në rreth të dytë dhe do të kemi pak garë më të vështirë, mund të jenë Bërvenica, Studeniçani dhe eventualisht e treta Çashka, ndërsa te të tjerat nuk kemi asnjë dyshim të vetëm.”,- deklaroi Artan Grubi nga BDI.
Edhe në LSDM vazhdon përzgjedhja e kandidatëve. Nga kjo parti thonë se do të japin ofertën më të mirë për qytetarët. Vendimin e kryetarit aktual të Kumanovës, Maksim Dimitrievski, që të garojë si i pavarur, e cilësojnë si zgjidhje personale që lehtëson zgjedhjen nga qytetarët.
“Lëvizja e Dimitrievskit lehtëson zgjedhjen e qytetarëve. Ai që u kthen shpinën qytetarëve, përkrahësve të opsionit demokratik dhe progresiv, anëtarësisë dhe bazës së LSDM-së, nuk mund të jetë opsioni më i mirë për njerëzit e Kumanovës.”,- thuhet në kumtesën e LSDM-së.
Është zyrtarizuar ndërkohë bashkëpunimi në zgjedhjet lokale mes Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativës me VMRO-DPMNE-në. Marrëveshja u arrit pas takimit që Sela dhe Gashi zhvilluan me Mickoskin. Thonë se bashkëpunimi artikulon zërin e opozitës.
“Bashkëpunimi do të thotë që partitë e përmendura nuk do të kandidojnë për kryetar komune në komuna të caktuara dhe do të mbështesin njëra-tjetrën, ndërsa në komunat e tjera do të konkurrojnë me të gjitha partitë e tjera.”,- thuhet në komunikatën e përbashkët.
Ndërkohë, VMRO-DPMNE ende po përzgjedh kandidaturat e tjera për komunat më të mëdha.
“Për kandidatët vendos komiteti ekzekutiv dhe i përgjithshëm. Menjëherë pasi të vendosin, do të shpalosim qëndrimin tonë lidhur me kandidatët që kanë ngelur të paplotësuara në VMRO-DPMNE.”,- theksoi Dimço Arsovski nga VMRO-DPMNE.
Në këto zgjedhje me interes shihen edhe kandidaturat e pavarura. Kandidaturë të pavarur për Qytetin e Shkupit ka shpallur Daniella Arsovska - kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike, Petar Georgievki i mbështetur nga “E majta” dhe Jana Petrovska e propozuar nga Iniciativa “Eko”. Një kandidat i pavarur garon edhe për Kërçovën. Fatmir Limani tashmë i ka dorëzuar nënshkrimet në KShZ.
NAIM RAMADANI
