Afganistan: shpërthim i ri pranë aeroportit të Kabulit
Një tjetër shpërthim është dëgjuar këtë të diel në kryeqytetin afgan...

Një tjetër shpërthim është dëgjuar këtë të diel në kryeqytetin afgan, Kabul prej ku njoftohet për të paktën dy të vdekur dhe tre të plagosur.
Siç raporton televizioni “Al Arabiya” shpërthimi ka ndodhur në një shtëpi pranë aeroportit. Disa dëshmitarë bëjnë të ditur se një predhë është lëshuar në zonën rezidenciale të Khajeh Baghra, jo shumë larg aeroportit.
Bomba shpërtheu tre ditë pasi militantët e Shtetit Islamik kryen një bombardim të dyfishtë pranë aeroportit të Kabulit, duke vrarë më shumë se 170 njerëz, përfshirë 13 ushtarë amerikanë. Në një kundërsulm, Shtetet e Bashkuara filluan një sulm me dron, duke vrarë dy anëtarë të lartë të grupit të Shtetit Islamik.
Dje presidenti amerikan, Joe Biden paralajmëroi për rrezikun e një sulm të ri në Kabul, duke theksuar se ky sulm mund të ndodhë të dielën.
Ndërkohë Jake Sullivan, këshilltari i presidentit amerikan për Sigurinë Kombëtare, tha se SHBA do të vazhdojë të punojë me talebanët për të siguruar kalim të sigurt për ata që duan të largohen nga Afganistani përtej afatit të 31 gushtit që është afati I fundit për largimin e trupave amerikane nga Afganistani.
Ndërkohë Franca dhe Britania kanë apralajmëruar se do të dorëzojnë një rezolutë gjatë mbledhjes urgjente të Kombeve të Bashkuara, të hënën, me propozimin e krijimit të një zone të sigurt në Kabul, me qëllim që të mbrohen njerëzit që po tentojnë të largohen nga Afgansitani.
