Kosovë, mbërritën refugjatët e parë afganë
Në Kosovë të dielën rreth mesnatës mbërriti grupi i parë i qytetarëve afganë, që do të strehohen në vend.....

Në Kosovë të dielën rreth mesnatës mbërriti grupi i parë i qytetarëve afganë, që do të strehohen në vend. Grupi prej 111 personash, që ikën nga shteti i tyre pasi talibanët morën kontrollin, u transferuan në Kosovë nga Gjermania me një avion të forcave amerikane. Të gjithë shtetasit afganë që arritën në Kosovë do të testohen për virusin Korona dhe nëse ka raste pozitive, janë caktuar edhe vende për karantimin e tyre.
Edhe gjatë ditës së hënë në Kosovë pritet të arrijnë qytetarë të tjerë afganë, të cilët do të qëndrojnë atje derisa t'u rregullohet dokumentacioni për qëndrim afatgjatë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se do të strehojë përkohësisht rreth 2.000 qytetarë afganë, të cilët kanë punuar me forcat amerikane dhe ato të NATO-s edhe me organizata të huaja.
